Zelensky thotë se Rusia tashmë po i manipulon akordet e ndërmjetësuara nga ShBA-ja
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se një marrëveshje me Rusinë që i mbulon sulmet në Detin e Zi dhe ndaj infrastrukturës energjetike hyri menjëherë në fuqi të martën, por paralajmëroi se Moska tashmë po i manipulonte dhe po i shtrembëronte akordet.
Zelensky tha se do të kërkonte nga homologu amerikan, Donald Trump, që t’i ofrojë armë Kievit dhe ta sanksionojë Rusinë, nëse Moska i shkel marrëveshjet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Shtetet e Bashkuara thanë më herët se kishin bërë marrëveshje të veçanta me Kievin e Moskën për ta garantuar lundrimin e sigurt në Detin e Zi dhe për ta zbatuar ndalimin e sulmeve ndaj objekteve të energjisë në të dyja vendet.
“Pala amerikane konsideron se marrëveshjet tona hyjnë në fuqi pas njoftimit të tyre nga pala amerikane” – tha Zelensky para gazetarëve në një konferencë për shtyp në Kiev, duke shtuar se ai nuk beson se Rusia do ta respektojë paktin.
Duke folur më vonë në adresimin e zakonshëm të mbrëmjes, presidenti ukrainas tha se Rusia tashmë po e mashtronte botën.
“Fatkeqësisht, madje edhe tani, edhe sot, mu në ditën e bisedimeve, ne shohim se si rusët tashmë kanë filluar të manipulojnë” – tha Zelensky.
“Ata tashmë po mundohen që t’i shtrembërojnë marrëveshjet dhe, në të vërtetë, t’i mashtrojnë edhe ndërmjetësit tanë, edhe mbarë botën” – paralajmëroi presidenti i vendit të përfshirë nga lufta.
Sipas tij, Kremlini gënjeu, kur tha se akordet rreth lundrimit të sigurt në Detin e Zi janë të lidhura me sanksionet e vendosura ndaj Moskës. Zelensky tha se Ukraina do të bëjë gjithçka për zbatimin e marrëveshjes, por se Rusia duhet të kuptojë se do të “merrte kundërpërgjigje të fortë”, nëse fillon sulme./Nacionale