Zelensky thotë se mund ta shpëtojë marrëdhënien me Trumpin e ShBA-së
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se ai beson që mund ta shpëtojë marrëdhënien e tij me homologun amerikan, Donald Trump, pas përplasjes verbale para kamerave në Zyrën Ovale, por se bisedimet duhet të vazhdojnë prapa dyerve të mbyllura.
Zelensky përsëri theksoi se vendi i tij nuk do t’i dorëzojë asnjë pjesë territori Rusisë si pjesë e një marrëveshjeje të paqes. Ai tha se ende ishte i gatshëm për të nënshkruar një pakt për minerale me ShBA-të dhe diskutimet e së dielës me udhëheqës evropianë për dërgimin e një draft-plani të paqes në ShBA i përshkroi si zhvillim kyç, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ai tha se nuk mendon që Shtetet e Bashkuara do ta ndalin asistencën për Ukrainën, sepse “si udhëheqës të botës së civilizuar”, ata nuk do të duan që ta ndihmojnë presidentin rus, Vladimir Putin.
Megjithatë, ai tha se mbetet i përgatitur për çfarëdo rezultati. “Sa i përket shpëtimit të marrëdhënies, mendojs se marrëdhënia jonë do të vazhdojë” – tha Zelensky përmes një përkthyesi pas samitit të udhëheqësve në Londër.
Sidoqoftë, ai shtoi: “Nuk mendoj se është gjë e duhur që diskutime të tilla të jenë tërësisht të hapura... Formati i asaj që ndodhi, nuk mendoj se solli ndonjë gjë pozitive ose shtesë për ne si partnerë.”
Zelensky arriti në Londër të shtunën, ku u prit me përfaqim të ngrohtë nga kryeministri britanik, Keir Starmer.
Në samitin e së dielës, Starmeri tha se udhëheqësit evropianë ishin pajtuar për hartimin e një plani të paqes për Ukrainën dhe që ai t’i dërgohej ShBA-së, me shpresën se Uashingtoni do t’i ofronte garancitë e sigurisë për të cilat Kievi thotë se janë jetike për ta frenuar Rusinë./Nacionale