Zelensky thotë se luftimet në Donetsk janë tepër sfiduese - NACIONALE

Zelensky thotë se luftimet në Donetsk janë tepër sfiduese

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se luftimet në rajonin e Donetskut, në lindje të Ukrainës, janë “tepër sfiduese” dhe se forcat ruse kanë vazhduar që ta përqendrojnë shumicën e operacioneve të ofensivës së tyre në atë pjesë, në drejtim të qytetit Pokrovsk.

“Është tepër sfiduese në drejtimet e Donetskut dhe është në drejtimin e Pokrovskut, ku ka qenë numri më i madh i sulmeve ruse këto javë – sulmet më intensive të armikut janë saktësisht atje” – tha Zelensky në adresimin e mbrëmjes, raporton gazeta “The Guardian”.

“Kushdo që i ndal këto sulme ruse dhe e shkatërron këtë potencial të ofensivës ruse është duke e kryer njërin prej misioneve më të rëndësishme në këtë luftë” – shtoi presidenti ukrainas.

Komentet e tij erdhën pasi Rusia tha të dielën se forcat e saj kishin kapur dy fshatra në rajonin e Donetskut, Progres dhe Yevgenivka, pak kilometra larg njëri-tjetrit, ndërsa i kishin vazhduar përpjekjet drejt qytetit Pokrovsk, në veriperëndim të kryeqytetit rajonal.

Pavarësisht nga situata e tensionuar afër Pokrovskut, “Ukraina e ka fuqinë për t’i arritur qëllimet e veta”, tha më tej Zelensky.

Të hënën, forcat ajrore ukrainase thanë se me sisteme të mbrojtjes ajrore ishin shkatërruar një raketë me drejtim dhe nëntë prej dhjetë sulmeve me dronë që Rusia i kishte nisur gjatë natës.

Ndërkohë, gjithashtu të hënën, zyrtarë rusë thanë se forcat ukrainase hodhën më shumë se 20 dronë drejt rajonit rus, Kursk, në disa valë sulmesh që nisën të dielën dhe dëmtuan një depo nafte.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pretendoi se 19 dronët e nisur nga Ukraina u shkatërruan nga sistemet e mbrojtjes ajrore./Nacionale

Lajme të ngjashme