Zelensky, Rusisë: Nëse doni bisedime, mos shënjestroni njerëz me raketa balistike - NACIONALE

Zelensky, Rusisë: Nëse doni bisedime, mos shënjestroni njerëz me raketa balistike

1 vit më parë

nga NACIONALE

Në një shkrim të ri në rrjete sociale, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka akuzuar Rusinë për “terror ajror” kundër vendit të tij.

“Ukraina po lufton për një jetë normale e të sigurt, të cilën e meriton, për paqe – të drejtë e të qëndrueshme. Ne duam që kjo luftë të përfundojë, por Rusia nuk do dhe ajo e vazhdon terrorin e saj ajror. Gjatë javës së kaluar, më shumë se 1.050 sulme me dronë, gati 1.300 bomba e më shumë se 20 raketa u hodhën kundër Ukrainës për të shkatërruar qytete e për të vrarë njerëz” – shkroi ai, raporton televizioni BBC.

“Nëse dëshironi bisedime, mos shënjestroni njerëz me raketa balistike. Për ta bërë Rusinë që t’i ndalë sulmet, ne kemi nevojë që bota të jetë më e bashkuar dhe më e fortë” – shkroi më tej presidenti ukrainas.

Policia e Ukrainës thotë se dy njerëz u vranë dhe tre të tjerë u lënduan nga sulmet ruse në rajonin e Donetskut gjatë 24 orëve të fundit, duke dëmtuar ose shkatërruar dhjetëra shtëpi.

Në një përditësim tjetër, policia ukrainase tha, gjithashtu, se pesë njerëz u vranë në rajonin Kherson në jug dhe 13 të tjerë u plagosën, përfshirë tre policë që po e evakuonin trupin e një burri 63-vjeçar të vrarë nga një sulm me dron.

Ndërkohë, deputeti ukrainas, Oleksiy Honcharenko, i cili më parë i ka bërë thirrje Ukrainës që ta njohë pavarësinë e Kosovës, është shprehur i kënaqur me ndërmjetësimin e Francës dhe të Britanisë së Madhe mes Ukrainës e ShBA-së. “Ky është një fillim i mirë” – shkroi ai në rrjete sociale.

Lajme të ngjashme