Zelensky propozon që të mbahet armëpushim derisa të organizohet takimi me Putinin
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të mërkurën propozoi që të zbatohet një armëpushim deri në kohën kur do të mund të mbahej një takim me homologun rus, Vladimir Putin.
“Propozimi im, të cilin besoj se mund ta mbështesin partnerët tanë, është që ne t’u propozojmë rusëve një armëpushim derisa të takohen liderët” – tha presidenti ukrainas në një konferencë për gazetarë në Kiev, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në bisedimet e 2 qershorit me Rusinë në Stamboll u shënua pak progres drejt përfundimit të luftës trevjeçare në Ukrainë, me përjashtim të shkëmbimit të propozimeve dhe një plani për shkëmbim domethënës të të burgosurve të luftës, për të cilin Zelensky tha se duhet të ndodhë këtë fundjavë.
Ndërkohë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha të mërkurën se Ukraina është ftuar që të marrë pjesë në një samit të NATO-s në Hagë këtë muaj.
Sidoqoftë, zyrtari i lartë i aleancës më të fuqishme ushtarake në botë nuk saktësoi nëse në këtë samit do të marrë pjesë presidenti Zelensky.
“Unë e ftova Ukrainën në samit. Sa më shpejt që të jetë e mundshme do ta nxjerrim programin me më shumë hollësi” – tha Rutte para gazetarëve para një takimi me ministrat e mbrojtjes të vendeve të NATO-s në Bruksel.
Kur u pyet nëse është ftuar në samit Zelensky personalisht, Rutte tha vetëm që programi do të publikohet në kohën e duhur./Nacionale