Zelensky po e diskuton me Trumpin praninë e trupave amerikane në Ukrainë - NACIONALE

Zelensky po e diskuton me Trumpin praninë e trupave amerikane në Ukrainë

2 javë më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të martën se Kievi është duke diskutuar me Uashingtonin një prani të mundshme të trupave amerikane në Ukrainë si pjesë e garancive të sigurisë dhe gjithashtu e diskutuan atë që ai e quajti sulm të fabrikuar ndaj rezidencës së presidentit rus, Vladimir Putin.

Zelensky tha në një diskutim me gazetarë në rrjetin “WhatsApp” se vendi i tij është i përkushtuar për t’i vazhduar bisedimet për përfundimin e luftës dhe se ai është i gatshëm që të takohet me Putinin në çfarëdo formati, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Të dielën, presidenti amerikan tha se ia dhe Zelensky ishin “ndoshta shumë afër” një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës, edhe pse mbeteshin ende disa çështje territorial “me gjemba”.

Të martën, Rusia tha se qëndrimi i saj në bisedime do të ashpërsohet, pasi e akuzoi Ukrainën për sulm ndaj njërës prej rezidencave të presidentit rus, Vladimir Putin – akuzë që Kievi e quajti të pabazë dhe me qëllim të fundosjes së bisedimeve për paqe.

Zelensky tha në diskutimin me gazetarët se një prani e trupave amerikane në Ukrainë do të ishte shtytje e madhe e sigurisë për Kievin.

“Natyrisht, ne jemi duke e diskutuar këtë me presidentin Trump dhe me përfaqësues të koalicionit [perëndimor që e mbështet Ukrainën]. Ne e duam këtë. Do të na pëlqente. Ky do të ishte një pozicion i fortë i garancive të sigurisë” – tha ai.

Shtëpia e Bardhë nuk pati ndonjë koment rreth dislokimit të trupave amerikane në Ukrainë si pjesë e ndonjë zgjidhjeje të paqes me Rusinë.

Zelensky tha se është i gatshëm që të takohet me Putinin pavarësisht nga mungesa e thellë e besimit, fakt që e nënvizoi të hënën.

“Unë u thashë presidentit Trump, udhëheqësve evropianë, se jam i gatshëm për çfarëdo formati të takimit me Putinin. Nuk frikësohem nga asnjë format… Gjëja kryesore qshtë që rusët të mos frikësohen” – deklaroi ai./Nacionale

Lajme të ngjashme