Zelensky paralajmëron për vijë fronti “shumë, shumë të vështirë” e luftime të ashpra - NACIONALE

Zelensky paralajmëron për vijë fronti “shumë, shumë të vështirë” e luftime të ashpra

6 ditë më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të hënën se situata në vijën e frontit të luftës kundër Rusisë është “shumë, shumë e vështirë” dhe se forcat ukrainase duhet të bëjnë gjithçka që munden gjatë periudhës së vjeshtës.

“Raportet për secilin prej sektorëve tanë të vijës së frontit, kapacitetet tona në të ardhmen dhe detyrat tona specifike: situata është shumë, shumë e vështirë” – tha Zelensky në fjalimin e tij të zakonshëm të mbrëmjes, duke iu referuar një takimi që zgjati për më shumë se dy orë e gjysmë me komandantë të lartë ushtarakë, raporton agjencia “Reuters”.

“Gjithçka që mund të bëhet këtë vjeshtë, gjithçka që mund ta arrijmë, duhet ta arrijmë” – shtoi ai.

Kjo ishte hera e dytë brenda më pak se një jave që Zelensky e përmend nevojën për të vepruar shpejt në muajt e ardhshëm në aspektin e veprimit ushtarak.

Blogerët ushtarakë ukrainas kanë raportuar ditëve të fundit se forcat ruse kanë qenë duke avancuar drejt qytezës Vuhledar, të cilën forcat ukrainase e kanë mbrojtur gjatë rrjedhës së luftës, në jug të rajonit Donetsk.

Blogu i popullarizuar, “Deepstate”, citoi raportime ruse të kenë thënë se forcat ruse po e bombardonin qytezën dhe “këmbësoria e tyre po lëvizte në qytet dhe mes blloqeve shumëkatëshe. Rusët e kanë ngritur flamurin e tyre në distriktet perëndimore të qytetit”.

Forcat ruse gjithashtu kanë qenë duke avancuar ngadalë me muaj më tej në veri, me qëllim të kapjes së tërë rajonit të Donbasit, që përbëhet nga rajonet Donetsk dhe Luhansk.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të hënën se forcat e saj e kishin kapur fshatin Nelipivka, në jug të qytetit Toretsk, njëri nga caqet e Moskës në atë zonë.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës nuk pranoi se fshati ishte humbur, por tha se forcat ruse kishin kryer dhjetë sulme drejt dhe përreth tij./Nacionale

Lajme të ngjashme