Zelensky në Berlin, do të flasë me kancelarin Merz për mënyrat si të kryhet lufta
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, arriti të mërkurën në Berlin për bisedime me kancelarin gjerman, Friedrich Merz, tha zyra e tij, pjesë e një nisme diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, konflikti më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Kancelari Merz do ta presë Zelenskyn me nderime ushtarake në kancelarinë federale në mesditë për një vizitë të përqendruar te mbështetja e Gjermanisë për Ukrainën si dhe te përpjekjet për arritjen e një armëpushimi, tha një një deklaratë një zëdhënës qeveritar.
Disa zyrtarë ukrainas e rusë u takuan këtë muaj për bisedimet e tyre të para sy më sy që nga fillimi i luftës më 2022, nën presionin e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës, raporton agjencia e lajmeve "Reuters".
Megjithatë, këto bisedime dështuan që të sillnin një marrëveshje armëpushimi dhe Rusia kreu sulme masive ajrore për tri net ndaj Ukrainës në fundjavë. Zelensky u tha gazetarëve se Rusia ka grumbulluar 50 mijë trupa afër rajonin verior ukrainas, Sumy.
Kur Trumpi po shfaq mbështetje të lëkundur për Ukrainën muajve të fundit, Gjermania mund të luajë një rol gjithnjë më të rëndësishëm si mbështetësja më e madhe ushtarake e financiare e Ukrainës pas Shteteve të Bashkuara.
Merzi, konservator që erdhi në krye të ekonomisë më të madhe evropiane këtë muaj, është zotuar se do të marrë një rol më udhëheqës për ta garantuar mbështetjen për Ukrainën në krahasim me paraardhësin e tij socialdemokrat, Olaf Scholz.
Ai e vizitoi Ukrainën bashkë me disa udhëheqës të tjerë evropianë disa ditë pasi u bë kancelar dhe të hënën i dha të drejtë Ukrainës për të kryer sulme raketore me rreze të gjatë në territorin e Rusisë – ndryshe nga retorika e kujdesschme e ish-kancelarit Scholz për këtë çështje.
Të martën, Zelensky tha se i është mirënjohës kancelarit të ri gjerman për vizitën në Kiev, por se “pati gjëra që nuk mund t’i diskutonim, sepse nuk patëm një takim të gjatë një me një dhe u pajtuam se do të vijë koha, kur unë do të vij në Berlin dhe do të flasim për këtë”./Nacionale