Zelensky me fjalim në OKB: S’ka armëpushim, sepse Rusia po refuzon
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, po i drejtohet të mërkurën me një fjalim Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Ai e nisi fjalimi duke thënë se vendet anëtare të OKB-së i duan paqen dhe sigurinë “po aq shumë sa ne”. “Nëse një vend dëshiron paqe, ai duhet të punojë rreth armëve. Armët vendosin se kush mbijeton” – tha Zelensky, raporton televizioni BBC.
Sipas tij, nuk ka garanci të sigurisë pa miq dhe armë dhe se populli ukrainas është paqësor edhe gjatë gjakderdhjes.
Zelensky më tej tha se në konfliktin që nisi më 2022 nuk ka ende armëpushim, sepse Rusia po refuzon që ta arrijë atë, duke shtuar se Moska ka rrëmbyer “mijëra” fëmijë ukrainas. Sa kohë do të nevojitet që ata të kthehen në shtëpi, pyeti presidenti ukrainas.
Sipas tij, vetëm rishtazi, 19 dronë rusë hynë në hapësirën ajrore të Polonisë dhe vetëm katër prej tyre u rrëzuan.
Më tutje, Zelensky tha se është me rëndësi që Evropës të mos i rrëshqasë edhe Moldavia në duart e Rusisë, njësoj si Gjeorgjia.
Ai pretendoi se Evropa e humbi mundësinë e saj për të vepruar e për ta shpëtuar Gjeorgjinë, njësoj si në rastin e Bjellorusisë.
Zelensky paralajmëroi se nëse Evropa nuk e ndihmon Moldavinë, kostoja do të jetë shumë më e lartë më vonë sesa që do të ishte për të vepruar tani.