Zelensky largohet nga G7-a pa takim me Trumpin e pa përkrahje të re armësh nga ShBA-ja
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u largua nga samiti i Grupit G7 të martën me ndihma të reja nga Kanadaja për luftën kundër Rusisë, por tha se diplomacia është në krizë, pasi e humbi mundësinë për t’i kërkuar presidentit amerikan, Donald Trump, më shumë armë.
Shtetet e pasura të Grupit G7 patën vështirësi për të gjetur unitet për konfliktin në Ukrainë, pasi Trumpi shprehu mbështetje për homologun rus, Vladimir Putin, dhe u largua një ditë para kohës për ta adresuar konfliktin mes Izraelit e Iranit nga Uashingtoni, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Një zyrtar kanadez fillimisht tha se Otava kishte hequr dorë nga planet që Grupi G7 të lëshonte një deklaratë të fuqishme për luftën në Ukrainë pas rezistencës nga Shtetet e Bashkuara.
Emily Williams, drejtoreshë për marrëdhënie me media në zyrën e kryeministrit kanadez, Mark Carney, tha më vonë se asnjë deklaratë e propozuar për Ukrainën nuk ishte planifikuar ndonjëherë.
Carney e kishte nisur ditën duke njoftuar se Kanadaja do t’i ofrojë Ukrainës 2 miliardë dollarë kanadezë asistencë të re ushtarake si dhe do t’i vendosë sanksione të reja financiare Rusisë.
Zelensky tha se u kishte thënë udhëheqësve të vendeve të Grupit G7 se “diplomacia tani është në gjendje krize” dhe shtoi se ata duhet të vazhdojnë t’i bëjnë thirrje Trumpit që “ta përdorë ndikimin e tij të vërtetë” për ta bërë të detyrueshëm përfundimin e luftës.
Edhe pse Kanadaja është njëra nga mbështetëset më të zëshme të Ukrainës, aftësia e saj për të ndihmuar është shumë më e vogël se e Shteteve të Bashkuara, furnizuesja më e madhe e Kievit me armë. Zelensky kishte thënë se shpresonte që të fliste me Trumpin për të siguruar më shumë armë për vendin e tij.
Pas përfundimit të samitit të Grupit G7, Carney lëshoi një deklaratë me përmbledhje të diskutimeve.
“Udhëheqësit e G7-ës shprehën mbështetje për përpjekjet e presidentit Trump për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë” – thuhet në deklaratë./Nacionale