Zelensky kërkon bisedime të drejtpërdrejta me Putinin për t’i dhënë fund luftës - NACIONALE

Zelensky kërkon bisedime të drejtpërdrejta me Putinin për t’i dhënë fund luftës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka reaguar pas komenteve të homologut rus, Vladimir Putin, duke e përsëritur qëndrimin se Ukraina është e gatshme për bisedime në nivelin e udhëheqësve “në çfarëdo kohe”.

“Ne i kemi dëgjuar deklaratat që vijnë nga Rusia. Nëse këto janë sinjale të një gatishmërie të vërtetë për ta përfunduar luftën me dinjitet dhe për të ndërtuar një paqe vërtet të qëndrueshme – dhe jo thjesht një përpjekje për të blerë më shumë kohë për luftë ose për t’i shtyrë sanksionet – atëherë Ukraina edhe një herë e riafirmon gatishmërinë e vet për t’u takuar në nivelin e udhëheqësve në çfarëdo kohe” – tha Zelensky, shkruan gazeta “The Guardian”.

Ai tregoi pse, sipas tij, një takim i drejtpërdrejt mes dy presidentëve është i nevojshëm për zhvillimin e bisedimeve.

“Ne kuptojmë se kush i merr vendimet në Rusi dhe kush duhet t’i japë fund kësaj lufte. E tërë bota e kupton këtë, gjithashtu” – tha presidenti ukrainas.

“Ukraina propozon që të lëvizet nga shkëmbimet e deklaratave dhe takimet e nivelit teknik te bisedimet mes udhëheqësve. Shtetet e Bashkuara e kanë propozuar këtë. Ukraina e ka përkrahur këtë. Ajo që nevojitet është gatishmëria e Rusisë” – shtoi Zelensky.

Ai gjithashtu e falënderoi presidentin amerikan, Donald Trump, për punën e tij për përfundimin e luftës, në atë që dukej si pranim i faktit se sa shumë varet çështja nga reagimi i kreut të Shtëpisë së Bardhë ndaj sulmeve të fundit të forcave ruse.

Lajme të ngjashme