Zelensky e publikon marrjen në pyetje të dy ushtarëve koreanë: Çfarë thanë ata?
Presidenti I Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të dielën se Kievi është i gatshëm t’ia dorëzojë udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ushtarët e kapur koreanë, nëse ai mund ta lehtësojë shkëmbimin e tyre me ukrainasit që po mbahen në Rusi.
“Përpos ushtarëve të parë të kapur nga Koreja e Veriut, pa dyshim se do të ketë më shumë. Është vetëm çështje kohe para se trupat tona të arrijnë që të kapin të tjerë” – tha Zelensky në rrjetin X, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Të shtunën, presidenti ukrainas tha se forcat e vendit të tij kishin kapur dy ushtarë të Koresë së Veriut në rajonin Kursk të Rusisë, hera e parë që Ukraina e njofton kapjen e ushtarëve të vendit të largët aziatik që nga hyrja e tyre në luftën pothuajse trevjeçare vjeshtën e vitit të kaluar.
Sipas vlerësimeve të Ukrainës dhe të Perëndimit, rreth 11 mijë ushtarë nga Koreja Veriore janë dislokuar në rajonin Kursk për t’i mbështetur forcat ruse. Rusia as nuk e ka konfirmuar, as nuk e ka mohuar praninë e tyre.
Zelensky ka thënë se forcat ruse e koreanoveriore kanë pësuar humbje të rënda.
“Ukraina është e gatshme që t’ia dorëzojë Kim Jong Unit ushtarët e tij, nëse ai mund ta organizojë këmbimin e tyre me luftëtarët tanë që po mbahen peng në Rusi” – tha presidenti ukrainas.
Ai publikoi një video të shkurtër ku shfaqej marrja në pyetje e dy burrave që prezantohen si ushtarë të Koresë së Veriut. Njëri prej tyre shfaqet i shtrirë në shtrat me duar të lidhura me fasha, ndërsa tjetri shihet i ulur, me fashë në nofull.
Njëri nga burrat thotë përmes përkthyesit se nuk dinte se ishte duke luftuar kundër Ukrainës dhe se i ishte thënë se ndodhej në një ushtrim ushtarak.
“A e di ku je tani?” – e pyesin ushtarin e shtrirë. Ai bën me kokë në shenjë mohimi. “Ti je në Ukrainë” – i thuhet.
Ushtari tjetër thotë se familja e tij nuk e di se ku ndodhet ai./Nacionale/Nasuf Abdyli
In addition to the first captured soldiers from North Korea, there will undoubtedly be more. It’s only a matter of time before our troops manage to capture others. There should be no doubt left in the world that the Russian army is dependent on military assistance from North… pic.twitter.com/4RyCfUoHoC
— Volodymyr Zelenskyy / Володимир Зеленський (@ZelenskyyUa) January 12, 2025