Zelensky e lavdëron inteligjencën e jashtme për vrasjen e figurave të larta ushtarake ruse
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të hënën e vlerësoi lart shërbimin ukrainas për inteligjencë të jashtme për vrasjen e figurave të larta ushtarake ruse që nga fillimi i luftës, por nuk e përmendi veturën bombë nga e cila u vra një oficer i lartë rus javën e kaluar.
Kremlini e fajësoi Ukrainën për veturën bombë të së premtes, e cila shpërtheu afër Moskës dhe e la të vrarë 59-vjeçarin Yaroslav Moskalik, zëvendësdrejtor i Drejtorisë Kryesore të Operacioneve në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Ruse, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Autoritetet në Kiev nuk kanë bërë ndonjë koment të drejtpërdrejtë rreth sulmit ndaj oficerit rus, më i riu në një varg rastesh të vrasjes së oficerëve ushtarakë rusë dhe figurave pro luftës që nga fillimi i konfliktit në shkurt të vitit 2022.
Në komentet te Zelenskyt, të bëra në rrjetin “Telegram”, nuk pati referenca ndaj ndonjë rasti specifik të vrasjes së oficerëve ushtarakë rusë.
“Kreu i Inteligjencës së Jashtme të Ukrainës raportoi për likuidimin e personave nga komanda e lartë e forcave të armatosura ruse. Drejtësia vihet në mënyrë të pashmangshme” – shkroi Zelensky, duke iu referuar drejtorit të agjencisë për inteligjencë të jashtme, Oleg Ivashchenko.
“Drejtori raportoi rreth masave të mëtejme për t’iu kundërvënë rrjeteve të agjentëve rusë në Ukrainë dhe sabotuesve. Rezultate të mira. Faleminderit për punën tuaj” – shtoi presidenti ukrainas.
Shërbimi ukrainas i inteligjencës, SBU, ka thënë se e ka vrarë në dhjetor në Moskë Gjeneral Lejtënant Igor Kirillov, gjeneral i lartë rus i akuzuar nga Ukraina se ishte përgjegjës për përdorimin e armëve kimike kundër trupave ukrainase.
Një gjykatë në Moskë urdhëroi në fundjavë që një shtetas ukrainas, i ngarkuar me akuza për terrorizëm në lidhje me sulmin ndaj oficerit Moskalik, të mbahej në paraburgim./Nacionale