Zelensky arrin në Japoni për samitin e Grupit G7
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, arriti të shtunën në qytetin japonez, Hiroshima, për t’u takuar me udhëheqësit e vendeve të Grupit G7 dhe për të tërhequr përkrahje për mbrojtjen e vendit të tij kundër pushtimit rus.
Zelensky, i veshur me rrobat e zakonshme me ngjyrë të gjelbër të mbyllët, doli nga një aeroplan qeveritar francez dhe hyri shpejt në një veturë, siç u pa në videot e publikuara nga televizionet japoneze, raporton agjencia “Reuters”.
Disa çaste më vonë, ai në “Twitter” shkroi: “Japoni. G7. Takime të rëndësishme me partnerët dhe miqtë e Ukrainës. Siguri dhe bashkëpunim i përforcuar për fitoren tonë. Paqja do të vijë më afër sot.”
Japan. G7. Important meetings with partners and friends of Ukraine. Security and enhanced cooperation for our victory. Peace will become closer today.
— Володимир Зеленський (@ZelenskyyUa) May 20, 2023
Anëtarët e Grupit G7 kanë paralajmëruar se vendet që përpiqen ta përdorin tregtinë si armë do të ballafaqohen me pasoja, duke i dërguar sinjal të qartë Kinës për veprimet që Uashingtoni i cilëson si bullizim ekonomik.
Zyrtarët francezë dhe evropianë kanë thënë se është jetike që Zelensky të ishte i pranishëm në samitin e Lidhjes Arabe dhe në samitin e Grupit G7 në mënyrë që të nënvizohen këndvështrimi i Ukrainës si viktimë e sulmit nga Rusia dhe pikëpamja e presidentit për marrëveshjen e paqes në të ardhmen.
Zelensky do të zhvillojë takime dypalëshe me udhëheqësit e vendeve të Grupit G7, por edhe me udhëheqësit e Indisë dhe Brazilit, dy shtete që nuk e kanë distancuar veten nga Rusia.
