Zelensky arrin në Itali, do të takohet me udhëheqësit dhe me Papa Françeskun
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, arriti të shtunën në Romë, ku do të zhvillojë bisedime me zyrtarë italianë dhe me Papa Françeskun, i cili ka thënë se Vatikani ka filluar një nismë në përpjekje për t’i dhënë fund luftës.
Zelensky arriti në një bazë ajrore ushtarake të aeroportit “Ciampino” të Romës, raportoi televizioni publik, RAI. Agjencia ANSA raportoi se ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, ishte i pranishëm për ta përshëndetur presidentin ukrainas, raporton agjencia “Associated Press”.
“Sot në Romë. Do të takohem me presidentin e Italisë, Sergio Mattarella, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, dhe Papën. Një vizitë e rëndësishme për t’iu afruar fitores së Ukrainës”- shkroi ai në rrjetin “Twitter”.
Today in Rome. I'm meeting with President of Italy Sergio Mattarella, Prime Minister of Italy @GiorgiaMeloni and the Pope @Pontifex. An important visit for approaching victory of Ukraine! 🇮🇹🤝🇺🇦🤝🇻🇦
— Володимир Зеленський (@ZelenskyyUa) May 13, 2023
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, është përkrahëse e madhe e ndihmave ushtarake dhe llojeve të tjera të ndihmës për Ukrainën. Takimi i Zelensky-t me homologun italian është i pari në agjendën e vizitës që pritet të zgjasë disa orë, ndërsa besohet se presidenti ukrainas më pas do të shkojë në Gjermani.
Agjenda e saktë e tij nuk është publikuar për arsye sigurie dhe Vatikani e konfirmoi takimin e tij me Papa Françeskun pak pas arritjes së Zelensky-t në tokën italiane.
Radioja shtetërore raportoi se si pjesë e masave mbrojtëse, është lëshuar urdhër për një zonë të ndalimit të fluturimeve në qiellin mbi Romë dhe snajperët janë vendosur në ndërtesa të larta.
Kryeministrja Meloni është takuar me presidentin ukrainas në Kiev pak para përvjetorit të fillimit të pushtimit rus të Ukrainës.
