Zelandë e Re: E çon të dashurin në gjyq pse s’e dërgoi deri në aeroport për koncert
Një grua në Zelandë të Re e ka paraqitur të dashurin e saj në një tribunal për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për shkelje të një “kontrate verbale”, pasi ai nuk e kishte dërguar në aeroport, duke rezultuar në humbjen e fluturimit për në një koncert dhe duke e detyruar gruan që ta shtynte udhëtimin për një ditë.
Gruaja i tha tribunalit se kishte qenë në lidhje me këtë person për gjashtë vjet e gjysmë derisa u lindi mosmarrëveshja, raporton gazeta “The Guardian”.
Sipas një urdhri të tribunalit, të publikuar të enjten me emra të redaktuar, gruaja kishte bërë rezervim për të marrë pjesë në një koncert me disa shoqe. I dashuri i saj ishte pajtuar për ta dërguar deri në aeroport dhe për të qëndruar në shtëpinë e saj që të kujdesej për dy qentë e saj gjatë kohës kur ajo nuk do të ishte aty.
Ajo i kishte dërguar porosi të dashurit një ditë para udhëtimit me një periudhë kohore mes orës 10 e 10 e 15 paradite në të cilën duhej ta merrte me veturë, por ai nuk u paraqit, duke ia shkaktuar humbjen e fluturimit.
Gruaja tha se pësoi shumë kosto si rezultat i mosardhjes së të dashurit për ta marrë e për ta dërguar në aeroport, përfshirë koston e udhëtimit të nesërmen dhe strehimin e qenve.
Ajo gjithashtu kishte paguar bileta trageti për të dhe të dashurin e saj që të shkonin në pushime në një kohë tjetër për t’i vizituar bijtë e tij dhe argumentoi se duhej të rimbursohej për koston e biletës së tij.
Gruaja tha se kishte hyrë në një “kontratë verbale” me partnerin se ai do ta dërgonte deri në aeroport dhe do të kujdesej për qentë e saj.
Sipas ankueses, të dashurit “i pëlqente qëndrimi në shtëpinë e saj” dhe ai ishte kujdesur për qentë në të kaluarën.
Megjithatë, gjykatësja Krysia Cowie tha se që një marrëveshje të jetë e zbatueshme, duhet të ekzistojë qëllimi për të formuar një “lidhje ligjërisht të detyrueshme”.