Zelanda e Re do të vendosë rregulla të reja kundër thithjes së cigareve elektronike nga të rinjtë - NACIONALE

Zelanda e Re do të vendosë rregulla të reja kundër thithjes së cigareve elektronike nga të rinjtë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Zelanda e Re do të vendosë rregulla të reja për ta luftuar rritjen e numrit të të rinjve që përdorin cigare elektronike.

Qeveria e vendit të largët njoftoi të martën se do t’i ndalojë shumicën e cigareve elektronike të njëpërdorimshme, nuk do të lejojë dyqane të këtyre cigareve afër shkollave dhe do ta ndalojë përshkrimin tërheqës të llojeve të tyre, raporton gazeta “The Guardian”.

Numri i adoleshentëve që thithin cigare elektronike në Zelandën e Re është rritur në masë dramatike gjatë pesë viteve të fundit, edhe pse niveli i konsumimit të duhanit ka rënë në shkallën më të ulët.

Sipas të dhënave të publikuara vitin e kaluar, konsumimi i duhanit në Zelandën e re ka rënë në 8 për qind, që është ndër nivelet më të ulëta në botë, por rritja e numrit të përdoruesve të cigareve elektronike ishte më e madhe se rënia e numrit të duhanpirësve të rregullt.

Numri i nxënësve të klasës së dhjetë – rreth 14 vjeç – që përdornin cigare elektronike përditë u rrit nga 3,1 për qind, sa ishte më 2019, në 9,6 për qind më 2021.

“Shumë të rinj janë duke përdorur cigare elektronike, prandaj do të bëjmë një numër lëvizjesh për ta ndalur këtë”- tha ministrja e Shëndetësisë e Zelandës së Re, Ayesha Verrall.

Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi nga gushti dhe do të nënkuptojnë se të gjitha pajisjet elektronike për thithjen e tymit që shiten në vend duhet të kenë bateri që hiqen ose që zëvendësohen. Sipas ministres, kjo masë do ta kufizojë shitjen e cigareve të lira elektronike që janë për një përdorim dhe që janë përhapur shumë në mesin e të rinjve.

Lajme të ngjashme