Zëdhënësi i Netanyahut dyshohet për zbulim të të dhënave sekrete, dalin hollësi
Një gjykatë izraelite të dielnë pjesërisht shfuqizoi një urdhër fshehtësie rreth rastit të rrjedhjes së dyshimtë të të dhënave të klasifikuara nga një bashkëpunëtor i kryeministrit Benjamin Netanyahu, duke e zbuluar emrin e të dyshuarit kryesor dhe disa hollësi të tjera.
Eli Feldstein, zëdhënës që punonte në Zyrën e Kryeministrit, akuzohet për zbulim të të dhënave shumë sekrete me ndërlikime në sigurinë kombëtare te mediat evropiane, sipas një vendimi të publikuar të dielën nga gjykatësi Menahem Mizrahi, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Emrat e tre të dyshuarve të tjerë u mbajtën të fshehur nga gjykata, por ajo konfirmoi se ata ishin të lidhur me fushën e mbrojtjes.
Ditëve të fundit, Netanyahu është munduar që ta distancojë veten nga rasti, ka pretenduar se askush nga zyra e tij nuk është arrestuar dhe nuk është nën hetime si dhe ka dalë kundër kritikëve që kanë pretenduar se rrjedhja e të dhënave ka qenë politikisht e dobishme për të. Netanyahu e kishte minimizuar çështjen dhe publikisht kishte bërë thirrje për shfuqizimin e urdhrit të gjykatës për fshehtësi.
Sipas shumë mediave, megjithatë, Feldstein-i kishte funksionuar si punonjës i Zyrës së Kryeministrit, edhe pse jozyrtarisht, gjatë vitit të kaluar, dhe se ai ishte shpesh në rrethin e ngushtë të Netanyahut. Ai shihet krahas kryeministrit në fotografi të ndryshme gjatë vitit të fundit.
Dokumentet e rrjedhura thuhet se e kanë formuar bazën e një artikulli gjerësisht të diskredituar në “Jewish Chronicle” – që më vonë ishte tërhequr – duke sugjeruar se Hamasi kishte planifikuar që t’i nxirrte pengjet nga Gaza përmes Egjiptit; si dhe një artikull në gazetën gjermane “Bild” ku thuhet se Hamasi po tërhiqej nga bisedimet për lirimin e pengjeve si formë e luftës psikologjike ndaj Izraelit.
Mediat izraelite dhe vëzhgues të tjerë shprehën skepticizëm për ata artikuj, që dukej se u shërbenin kërkesave të Netanyahut në bisedime dhe e shfajësonin atë për dështimin e negociatave.
Rasti u bë për herë të parë publik të premten, katër ditë pasi Feldstein-i u arrestua gjatë një bastisjeje policore herët në mëngjes. Është dhënë urdhër që ai të mbahet në paraburgim të paktën deri të martën, kur pritet të mbahet një seancë tjetër dëgjimore.
Disa prej të dyshuarve në këtë rast mund të dënohen deri në 15 vjet burgim, tha uebfaqja “Ynet”, duke cituar një zyrtar që kishte njohuri për hollësitë./Nacionale