Xhihadi Islam pretendon se i ka humbur kontakti me ata që po e mbajnë pengun Rom Braslavski
Grupi palestinez, Xhihadi Islam, pretendon se i ka humbur kontakti me personat që janë duke e mbajtur pengun Rom Braslavski dhe se fati i tij tash për tash nuk është i ditur.
Grupi me bazë në Gaza tha në një deklaratë se humbja e komunikimit ndodhi pasi ushtria izraelite operoi në zonën ku ai ishte duke u mbajtur. Trupat tokësore të ushtrisë izraelite hynë të hënën për herë të parë në qytetin Deir al-Balah, pasi fillimisht e kishin lënë kryesisht anash për shkak se mendohej se atje ishin duke u mbajtur pengje, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Braslavski, i cili ishte marrë peng nga festivali muzikor “Nova” gjatë sulmit të udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023, është njëri nga 50 pengjet që po mbahen ende në Gaza. Së paku 20 prej tyre besohet se janë akoma gjallë, ndërsa rreth gjysma do të liroheshin me një marrëveshje të mundshme armëpushimi që po negociohet mes Izraelit dhe Hamasit në Katar.
Xhihadi Islam në të kaluarën ka bërë deklarata dhe pretendime që nuk kanë dalë gjithmonë të besueshme. Izraeli e ka akuzuar këtë grup, njësoj si Hamasin, se bën luftë psikologjike. Xhihadi Islam e kishte publikuar në prill një video në të cilën shihej Braslavski, ku ai thoshte se po e përjetonte “ferrin” dhe kishte shfaqur shenja të sëmundjes.
Familja e pengut reagoi me një deklaratë të martën, duke kërkuar takim qoftë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, qoftë me ministrin e Mbrojtjes, Israel Katz, ose me komandantin e ushtrisë izraelite, Eyal Zamir.
“Ne duam të dimë se ku është biri ynë. Duam që ata që janë përgjegjës të ulen me ne dhe të na e transmetojnë situatën, jo copa të të dhënave ose të vërteta të pjesshme” – thuhet në deklaratën e familjes. “Ne jemi të thyer dhe në dhimbje. Kërkojmë përgjigje nga vendi ynë për Rom-in tonë të dashur” – thuhet më tej./Nacionale