WSJ: Prapa dyerve të mbyllura, Bideni shfaq shenja të rrëshqitjes
Presidenti amerikan, Joe Biden, 81 vjeç, shfaq shenja të rënies së aftësive njohëse në takime me dyer të mbyllura, raporton gazeta e njohur “The Wall Street Journal” (WSJ), duke e mbështetur hulumtimin e saj të gjatë me muaj në intervista me më shumë se 45 persona.
Shumica e atyre që shfaqën shqetësim ishin republikanë, tha e përditshmja amerikane, por edhe disa demokratë zbuluan se Bideni kishte shfaqur shenja të rënies së aftësive njohëse.
Shtëpia e Bardhë dhe demokratë të tjerë kanë reaguar në mënyrë të fuqishme kundër raportimit të gazetës së njohur.
Në artikullin e saj thuhet se në rrëfime përshkruhet një “pabarazi” në takime, edhe pse “jo karikatura e një udhëheqësi të hutuar që e paraqesin disa prej kundërshtarëve të tij”.
Në një takim kyç në janar rreth ndihmave ushtarake për Ukrainën, sipas raportimit të WSJ-së, “presidenti lëvizi aq ngadalë përreth Dhomës së Kabinetit për të përshëndetur rreth 24 udhëheqës kongresistë, saqë u nevojitën dhjetë minuta që takimi të fillonte, sjellin ndër mend disa persona që morën pjesë aty”.
Pjesëmarrësit gjithashtu kishin vështirësi për ta dëgjuar Bidenin, përderisa ai po i lexonte pikat e përgjithshme për të cilat ishte arritur pajtueshmëri nga shënimet dhe në mënyrë të vazhdueshme mbështetej te të tjerët.
“Nuk mund të ishte aty dhe të mos ndiheshe jorehat. Thjesht do ta them këtë” – tha një pjesëmarrës.
Sidoqoftë, demokratët që morën pjesë në takim nuk u pajtuan me këtë karakterizim. Udhëheqësi i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, tha se Bideni ishte “i fuqishëm, i fortë dhe i vendosur në mënyrë të pabesueshme”.
Në takime të tjera kyçe, përfshirë bisedimet në maj të vitit të kaluar rreth ngritjes së tavanit të borxhit publik, republikanët thanë se kohë pas kohe presidenti ishte i mprehtë dhe spontan, ndërsa ditëve të tjera përsëriste rrëfime dhe sillte në diskutim çështje tashmë të zgjidhura.
Edhe rivali i Bidenit, Donald Trump, vetëm 3 vjet e gjysmë më i ri, është përcjellë me vëmendje për ngatërrimin e emrave të zyrtarëve./Nacionale