WSJ: Kështu e eliminoi Prigozhinin “dora e djathtë” e Putinit, Patrushevi - NACIONALE

WSJ: Kështu e eliminoi Prigozhinin “dora e djathtë” e Putinit, Patrushevi

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në pistën e një aeroporti të Moskës në fund të gushtit, Yevgeny Prigozhini po priste në aeroplanin e tij të tipit “Ebraer Legacy 600” që të përfundonte një kontroll sigurie para nisjes. Shefi i mercenarëve po nisej drejt Shën Petersburgut me nëntë persona të tjerë në aeroplan. Gjatë vonesës, askush brenda kabinës nuk e vërejti pajisjen e vogël shpërthyese të vendosur nën krahun e aeroplanit.

Thomas Grove, Alan Cullison & Bojan Pancevski

"The Wall Street Journal"

Kur aeroplani më në fund u nis, ai u ngrit për rreth 30 minuta në lartësi prej 8.500 metrash, para se krahu të shkëputej nga shpërthimi, duke e nisur silljen e aeroplanit drejt tokës. Të gjithë dhjetë personat u vranë, përfshirë Prigozhinin, pronar i grupit “Wagner”.

Vrasja e komandantit ishte duke u përgatitur për dy muaj dhe ishte miratuar nga aleati më i vjetër e njeriu më i besuar i presidentit rus, Vladimir Putin, ish-spiuni Nikolai Patrushev, sipas zyrtarëve të inteligjencës perëndimore dhe një ish-oficeri të inteligjencës ruse. Për rolin e Patrushevit si drejtues i planit për vrasjen e Prigozhinit nuk është raportuar më parë.

Kremlini e ka mohuar përfshirjen në vdekjen e Prigozhinit dhe Putini e ka ofruar gjënë më të ngushtë ndaj një shpjegimi zyrtar për rrëzimin e zjarrtë të aeroplanit, duke sugjeruar se një granatë dore kishte shpërthyer brenda tij.

Asnjëra nga këto nuk ishin të vërteta.

Disa orë pas incidentit, një evropian i përfshirë në grumbullimin e inteligjencës, që mbajti një kanal të pasmë komunikimi me Kremlinin dhe e pa lajmin e rrëzimit, pyeti një zyrtar atje se çfarë kishte ndodhur.

“Ai duhej të hiqej”- iu përgjigj një zyrtar i Kremlinit pa ngurrim.

Vrasja

Patrushevi për një kohë të gjatë e kishte paralajmëruar Putinin se varësia e Moskës ndaj grupit “Wagner” në Ukrainë po i jepte Prigozhinit tepër ndikim politik e ushtarak që po e rrezikonte gjithnjë më shumë Kremlinin.

Pas kryengritjes, Kremlini kishte bërë pak gjëra publikisht për ta kufizuar jetën e Prigozhinit. Ai udhëtoi për në Afrikë për t’i kontrolluar operacionet e tij atje. I ishte lejuar edhe që ta vazhdonte punën në Shën Petersburg e nëpër Rusi, tha Maksim Shugaley, që punoi për Prigozhinin në një organizatë. Megjithatë, sipas tij, Prigozhini ishte i kujdesshëm.

“Ai dinte se kishte armiq dhe se diçka do të mund t’i ndodhte, por aq sa dinte, ai po e respektonte marrëveshjen”- tha Sugaley.

Rolf Mowatt-Larseen, ish-shef i një stacioni të CIA-s, tha se Prigozhini mund të jetë dukur i lirë, kur në të vërtetë po shikohej për së afërmi. Kryengritja e tij kishte shpërfaqur një çarje të thellë në sistemin e Putinit për udhëheqjen e vendit, si dhe pakënaqësinë në ushtri, e cila kishte bërë pak për ta kundërshtuar marshin e tij, tha Mowatt-Larssen-i.

“Mund të shihni se cili ishte plani i Putinit – që ta mbante njeriun e vdekur duke ecur në mënyrë që të mund të vazhdonin të merrnin vesh se çfarë ndodhi”- shtoi ai, duke nënkuptuar që Kremlini po i kërkonte bashkëpunëtorët e Prigozhinit.

Në fillim të gushtit, kur shumica e njerëzve në Moskë shkuan për pushime, Patrushevi, në zyrën e tij në qendër të Moskës, i dha urdhra asistentit të tij që ta vazhdonte ndërtimin e një operacioni për ta hequr qafe Prigozhinin, tha ish-oficeri i inteligjencës ruse. Putinit i ishte treguar më vonë plani dhe ai nuk ishte ankuar, thanë agjencitë perëndimore të inteligjencës.

Disa javë më vonë, pas udhëtimit të tij nëpër Afrikë, Prigozhini po priste në një aeroport të Moskës, përderisa inspektorët e sigurisë përfunduan një kontroll në aeroplan. Gjatë kësaj vonese, një bombë e vogël u vendos nën krahun e aeroplanit, thanë zyrtarët perëndimorë të inteligjencës.

Aeroplani u nis pas orës 17 dhe arriti një lartësi prej 8.500 metrash, por pas më shumë se gjysmë ore, aeroplani e humbi shpejt lartësinë dhe u përplas afër fshatit Kuzhenkino. Videot e dëshmitarëve tregojnë se pas një shpërthimi, një aeroplan me krah të këputur ra nga qielli.

Pas disa ditëve, mediat ruse raportuan se testet e ADN-së konfirmuan që Prigozhini kishte vdekur në aeroplan. Nëntë të tjerë u vranë bashkë me të, përfshirë komandantin e grupit “Wagner”, Dmitry Utkin, një bashkëpunëtor tjetër në “Wagner”, dy pilotë dhe një stjuardesë 39-vjeçare.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Për ta lexuar artikullin e plotë në gjuhën angleze, klikoni KËTU.

Lajme të ngjashme