WSJ: Izraeli e ka listën e të gjithë pjesëmarrësve në sulmin e 7 tetorit, synon vrasjen ose arrestimin e tyre
Izraeli ka hartuar një listë të të gjithë palestinezëve që morën pjesë në sulmet e udhëhequra nga Hamasi më 7 tetor 2023 dhe është duke punuar për ta vrarë ose arrestuar secilin prej tyre, raporton gazeta e njohur amerikane, “The Wall Street Journal”, duke cituar zyrtarë e ish-zyrtarë izraelitë që kanë njohuri për këtë çështje.
Sipas raportit, në listë përfshihen të gjithë banorët e Gazës që janë identifikuar si persona që e kishin kaluar kufirin më 7 tetor, si dhe të gjithë udhëheqësit e Hamasit që ishin të përfshirë në masakrën me rreth 1.200 të vrarë e 251 persona të marrë peng, kryesisht civilë.
Agjentët izraelitë të inteligjencës që u ngarkuan me detyrën e hartimit të listës e bënë këtë duke e studiuar numrin e madh të videove e fotografive si dëshmi të sulmit, të cilat ishin publikuar në internet nga sulmuesit më 7 tetor dhe më vonë dhe duke i vendosur këto pamje në softuerë për njohjen e fytyrave, thuhet në raport.
Janë analizuar edhe përmbajtjet nga telefonatat e përgjuara nga persona që e kishin kaluar kufirin dhe kishin hyrë në Izrael atë ditë.
Zyrtarët izraelitë i thanë gazetës amerikane se zyrtarët e inteligjencës shtojnë persona në këtë listë porsa t’i ketë dy pjesë të dëshmive që i paraqesin ata në skenën e ndonjërit prej sulmeve që ndodhën më 7 tetor.
Në raport thuhet se puna në hartimin e listës ka vazhduar pavarësisht arritjes së armëpushimit në tetor në Gaza, duke u përmendur vrasja e shefit të Hamasit për Gazën javën e kaluar përmes një sulmi ajror.