WSJ: Ekipi i Trumpit e ka shtuar sigurinë pas vrasjes së aktivistit Charlie Kirk - NACIONALE

WSJ: Ekipi i Trumpit e ka shtuar sigurinë pas vrasjes së aktivistit Charlie Kirk

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ekipi i presidentit amerikan, Donald Trump, ka filluar që t’i ashpërsojë masat e sigurisë pas shokut e zemërimit në Shtëpinë e Bardhë për vrasjen e aktivistit konservator, Charlie Kirk, raporton gazeta e njohur amerikane, “The Wall Street Journal”.

Një ceremoni e Pentagonit për shënimin e përvjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 u vendos në një vend më të sigurt në mënyrë që Trumpi të mund të mbante fjalim, sipas një zyrtari të lartë të Shtëpisë së Bardhë. Masa shtesë do të zbatoheshin, kur Trumpi do të merrte pjesë si shikues në një lojë të enjten në mbrëmje.

“Individët në stadiumin e ekipit Yankees dhe përreth tij mund të shohin prani të shtuar të zyrtarëve për sundimin e ligjit” – tha Shërbimi Sekret, transmeton gazeta "Nacionale".

Përtej ngjarjeve të kësaj jave, ekipi i Trumpit do të zhvillojë diskutime më të gjera për atë se si të shtohet siguria për presidentin, tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë.

Trumpi dhe ndihmësit e tij janë të shokuar dhe një ndjenjë pikëllimi e ka kapluar Krahun Perëndimor të Shtëpisë së Bardhë, sipas këshilltarëve të presidentit. Kirku, i cili vdiq të mërkurën, pasi u qëllua nga një burrë i armatosur në një tubim në mjedis të hapur në Utah, kishte lidhje të ngushta me Trumpin, familjen e tij, me nënpresidentin JD Vance dhe me shumë prej ndihmësve në moshë të re që punojnë në administratën amerikane.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë e përshkroi situatën si gjendje zie, duke shtuar se disa këshilltarë kanë frikë për sigurinë e vet.

Trumpit, vrasja e Kirkut ia freskoi kujtimin e dhimbshëm rreth tentativës për vrasjen e tij në korrikun e vitit të kaluar, thanë persona të afërt me qëndrimet e tij.

Më herët këtë javë, presidenti amerikan u ballafaqua me disa protestues në një restorant afër Shtëpisë së Bardhë, të cilët e quajtën “Hitleri i kohës sonë”. Ndihmësit thanë se Trumpi e tejkaloi këtë situatë, por ka pyetur se si kishin arritur protestuesit që të hynin brenda restorantit. Një zëdhënës i Shërbimit Sekret tha se të gjithë mysafirët ishin kontrolluar para ardhjes së presidentit, përfshirë protestuesit, të cilët kishin bërë rezervim në restorant.

Lajme të ngjashme