Vritet një ushtar turk në veri të Irakut
Një ushtar turk u vra të hënën në një përleshje me militantët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit në pjesën veriore të Irakut, ndërsa përmes sulmeve ajrore turke u vranë shumë militantë, tha Ministria e Mbrojtjes e Turqisë.
Përmes një deklarate, kjo ministri tha se përmes sulmeve ajrore u shkatërruan 21 caqe të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, pa dhënë hollësi të tjera, raporton agjencia “Reuters”.
Ankaraja e përdor termin “i neutralizuar” për kuptimin “i vrarë”.
Ushtari turk u vra gjatë një përleshjeje në rajonin Gara dhe forcat ajrore turke vunë në shënjestër baza të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit në Gara, Hakurk, Metina dhe Qandil, tha më tej Ministria e Mbrojtjes.
Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, e cilësuar si grup terrorist nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, i rroku armët kundër shtetit turk më 1984. Më shumë se 40 mijë njerëz janë vrarë gjatë kryengritjes së gjatë.
Turqia ka kryer operacione të gjata me vite matanë kufirit kundër militantëve, duke marrë nën kontroll ose nën mbikëqyrje nga ushtria turke rreth gjysmën e territorit sirian që kufizohet me Turqinë dhe tërë territorin irakian që kufizohet me Turqinë.