Vritet një e plagosen tre ushtarë izraelitë gjatë luftimeve në Gaza
Një ushtar rezervist izraelit u vra dhe tre të tjerë u plagosën gjatë luftimeve në pjesën veriore të Rripit të Gazës të enjten, njoftoi ushtria izraelite.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit më vonë e identifikuan ushtarin e vrarë si Rreshter (rezervist) Asaf Cafri, 26 vjeç, vozitës tanku në Batalionin e 79-të të Brigadës së Blinduar të 14-të Rezervë, nga Beit Hashmonai, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Në incidentin e njëjtë, një rezervist i Batalionit të 79-të dhe një oficer në njësitin elit “Yahalom” u lëndua seriozisht. Një rezervist tjetër, në Batalionin 8239, pësoi lëndime mesatare.
Sipas një hetimi fillestar të ushtrisë izraelite, Cafri, i cili ndodhej jashtë tankut, u godit nga zjarri i snajperëve në zonën Beit Hanoun, afër njërës prej pikave ushtarake të zonës neutrale të kontrolluar nga Izraeli.
Ushtarët e tjerë afër tij u goditën nga zjarri prej armëve kundërtank, i shkrepur nga militantët, sipas rezultateve të hetimit fillestar.
Incidenti vdekjeprurës ndodhi pak ditë pas një sulmi të shtunën, kur militantët e Hamasit hapën zjarr ndaj një automjeti ushtarak të pablinduar, duke plagosur seriozisht tre ushtarë, para se të vendosnin një bombë në zonë, nga e cila mbeti i vrarë një ushtar, ndërsa një tjetër u lëndua seriozisht.
Ushtari i identifikuar si G’haleb Sliman Alnasasra, ishte ushtari i parë që u vra që nga rinisja e ofensivës së ushtrisë izraelite kundër Hamasit në Gaza muajin e kaluar./Nacionale