Vritet një e plagosen tetë ushtarë izraelitë gjatë luftimeve në Gaza
Një ushtar izraelit u vra dhe tetë të tjerë u plagosën gjatë luftimeve në pjesën veriore të Rripit të Gazës të hënën, njoftuan Forcat e Mbrojtjes të Izraelit, përderisa ushtria i vazhdoi operacionet intensive në pjesën veriore të enklavës.
Ushtari i vrarë u identifikua si Rreshter Uriel Peretz, 23 vjeç, pjesëtar i Batalionit “Netzah Yehuda” të Brigadës “Kfir”. Ai ishte nga Beitar Illiti, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Kryetari i vendbanimit ultra-ortodoks, Meir Rubinstein, tha se “i tërë qyteti është duke mbajtur zi dhe duke i dërguar ngushëllime familjes së dashur [të ushtarit të vrarë]”.
Sipas një hetimi fillestar të ushtrisë izraelite, ushtarët, të cilët ndodheshin brenda një ndërtese në Beit Hanoun, në veri të Gazës, u goditën nga zjarri kundërtank. Peretzi u ra dhe tetë ushtarët e tjerë u plagosën. Tre prej tyre raportohet se janë në gjendje serioze, ndërsa pesë në gjendje të mirë ose mesatare.
Pas vdekjes së rreshterit 23-vjeçar, numri i përgjithshëm i ushtarëve të vrarë izraelitë gjatë ofensivës tokësore kundër Hamasit në Gaza dhe në operacione ushtarake përgjatë kufirit me enklavën palestineze u rrit në 395. Një ushtar tjetër u vra në Jabalia të Gazës të dielën.
Të hënën, ushtria izraelite tha se tri raketa u hodhën nga Gaza drejt komuniteteve kufitare izraelite. Ditëve të fundit ka pasur shtim të zjarrit me raketa nga pjesa veriore e Gazës në kohën e ofensivës së vazhdueshme të ushtrisë izraelite atje.