Vritet nga sulmet izraelite udhëheqësi i Hamasit në Liban, Fateh Sherif Abu el-Amin - NACIONALE

Vritet nga sulmet izraelite udhëheqësi i Hamasit në Liban, Fateh Sherif Abu el-Amin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Grupi militant palestinez, Hamas, tha se udhëheqësi i tij në Liban u vra të hënën nga një sulm izraelit, ndërsa një grup tjetër militant palestinez tha se tre udhëheqës iu vranë nga një sulm në Bejrut, i pari brenda qytetit.

Hamasi tha se udhëheqësi i tij në Liban, Fateh Sherif Abu el-Amin, bashkëshortja, biri dhe bija e tyre u vranë nga një sulm që në shënjestër e kishte shtëpinë e tyre në një kamp për refugjatë palestinezë në qytetin jugor, Tyre, në orët e hershme të së hënës, raporton agjencia “Reuters”.

Përderisa Izraeli po i shpeshton sulmet kundër aleatëve të Iranit në rajon, Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës tha se tre prej udhëheqësve të tij u vranë nga një sulm që në shënjestër e pati distriktin Kola të Bejrutit.

Nga sulmi u godit kati i sipërm i një ndërtese banesash, thanë dëshmitarët e agjencisë “Reuters”. Nuk pati koment të menjëhershëm nga ushtria izraelite.

Izraeli të dielën kreu sulme ajrore edhe kundër rebelëve Houthi në Jemen dhe ndaj dhjetëra caqeve të Hezbollahut në mbarë Libanin, pasi më herët e kishte vrarë kreun e grupit, Hassan Nasrallah.

Ministria e Shëndetësisë që udhëhiqet nga rebelët Houthi në Jemen tha se të paktën katër persona u vranë dhe 29 të tjerë u plagosën nga sulmet ajrore në portin Hodeidah. Izraeli tha se kjo ishte kundërpërgjigje ndaj sulmeve me raketa nga grupi jemenas. Në Liban, autoritetet thanë se të paktën 105 njerëz ishin vrarë nga sulmet ajrore izraelite të dielën.

Ministria e Shëndetësisë e Libanit ka thënë se më shumë se një mijë libanezë janë vrarë e gjashtë mijë të tjerë janë plagosur gjatë dy javëve të fundit, pa treguar se sa prej tyre ishin civilë. Qeveria ka thënë se një milion njerëz – një e pesta e popullsisë – janë larguar nga shtëpitë e tyre.

Izraeli është zotuar se do t’i vazhdojë sulmet dhe thotë se dëshiron që ta rikthejë sigurinë në pjesën veriore të vendit për banorët që janë detyruar të shpërngulen për shkak të sulmeve me raketa nga Hezbollahu./Nacionale

Lajme të ngjashme