Vritet nga Izraeli shefi i operacioneve të Hamasit në Liban, Muhammad Shaheen
Izraeli të hënën vrau një udhëheqës të Hamasit në zonën Sidon në jug të Libanit, thanë ushtria izraelite dhe një zyrtar i Hamasit.
Ushtria izraelite tha se Muhammad Shaheen ishte udhëheqës i departamentit të operacioneve të Hamasit në Liban dhe se ai rishtazi ishte i përfshirë në promovimin e “komploteve terroriste” me drejtim nga Irani dhe me fonde nga territori libanez kundër qytetarëve izraelitë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Një zyrtar i Hamasit ia konfirmoi agjencisë “Reuters” vrasjen e Shaheen-it.
Një sulm izraelit ndaj një veture në qytetin bregdetar Sidon vuri në shënjestër një zyrtar të grupit militant palestinez, i thanë më herët agjencisë “Reuters” dy burime libaneze të sigurisë.
Agjencia shtetërore libaneze e lajmeve tha se punëtorët e shpëtimit kishin larguar një trup nga vetura, por nuk e identifikoi viktimën.
Ushtria izraelite ka qenë duke kryer sulme kundër anëtarëve të Hamasit, grupit aleat libanez, Hezbollahut, dhe fraksioneve të tjera në Liban, paralelisht me luftën në Gaza.
Në anën tjetër, grupet e armatosura kanë kryer sulme me raketa, dronë e artileri matanë kufirit, drejt pjesës veriore të Izraelit.