Vritet influencerja më e re në Gaza, 11-vjeçarja Yaqeen Hammad
11-vjeçarja Yaqeen Hammad, influencerja më e re në Gaza, është në mesin e dhjetëra fëmijëve të vrarë nga sulmet izraelite që u kryen rishtazi në enklavën palestineze.
E njohur për buzëqeshjen e saj të çiltër dhe përpjekjet për punë vullnetare, Yaqeen u vra të premten në mbrëmje, pasi forcat izraelite e bombarduan zonën al-Baraka të qytetit Deir al-Balah, në pjesën veriore të Gazës, në kohën e luftimeve intensive në rajon, raporton gazeta “The Guardian”.
Yaqeen dhe vëllai i saj i madh, Mohamed Hammad, u shpërndanin ushqim, lodra dhe rroba familjeve të zhvendosura, raportoi televizioni “Al Jazeera”.
Ajo ishte influencerja më e re në Gaza dhe ofronte këshilla praktike për të mbijetuar në përditshmërinë me bombardime, si këshillat se si të gatuhet ushqimi me metoda të improvizuara, kur nuk ka gas.
Në një shkrim në rrjete sociale, Yaqeen kishte shkruar: “Unë mundohem që t’u sjell pak gëzim fëmijëve të tjerë në mënyrë që ata të mund ta harrojnë luftën.”
Ajo kishte luajtur rol aktiv në kolektivin “Ouena”, organizatë jofitimprurëse me seli në Gaza, e përkushtuar ndaj ndihmave humanitare.
Vajza shpesh shoqërohej nga vëllai i saj i madh, i cili është punëtor humanitar, dhe bashkë shpërndanin ushqim.
Të dy kishin vizituar shpesh kampe dhe strehimore të improvizuara për familjet e zhvendosura./Nacionale