Vriten së paku 50 luftëtarë të grupit “Boko Haram” në Nigeri
Të paktën 50 luftëtarë të grupit “Boko Haram” u vranë të martën dhe shtatë pjesëtarë të forcës së sigurisë infrastrukturore të Nigerisë u zhdukën pas një sulmi në pritë nga kryengritësit ndaj një autokolone që po i vëzhgonte instalimet e rrjetit elektrik, tha një zëdhënës.
Grupi “Boko Haram”, i cili ka zhvilluar kryengritje për 15 vjet kryesisht në pjesën verilindore të Nigerisë, është dobësuar nga luftimet ushtarake dhe të brendshme, por mbetet kërcënim, pasi bën sulme vdekjeprurëse kundër civilëve dhe caqeve qeveritare, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Babawale Afolabi, zëdhënës i Korporatës Nigeriane të Mbrojtjes Civile, agjenci qeveritare e themeluar për ta mbrojtur infrastrukturën, tha se operativët e sigurisë ranë në pritë nga rreth 200 luftëtarë të grupit “Boko Haram” gjatë misionit patrullues.
Afolabi tha se mbi 50 kryengritës u vranë gjatë luftimeve, por shtatë operativë ishin të zhdukur, duke shtuar se po zhvillohen përpjekje për t’i gjetur ata në shkurre. Ai shtoi se “disa të tjerë” nga forca e sigurisë janë plagosur.
Edhe pse grupi “Boko Haram” vepron kryesisht në verilindje, autoritetet nigeriane thonë se ai ka celula edhe në shtetin me popullsi myslimane, Niger, ku më parë ka kryer sulme kundër ushtrisë dhe civilëve.
Në një sulm tjetër në shtetin Borno, në verilindje të vendit, një zëdhënës ushtarak tha se pesë ushtarë u vranë nga kryengritës të dyshuar të shtunën.