Vriten pesë muzikantë në Meksikë, dyshohet për përfshirjen e një karteli droge
Pesë muzikantë, të cilët ishin zhdukur në qytetin Reynosa të Meksikës, afër kufirit me ShBA-në, janë vrarë nga anëtarë të dyshuar të një karteli të drogës, kanë thënë autoritetet meksikane.
Nëntë anëtarë të dyshuar të grupit famëkeq, Karteli i Gjirit, janë arrestuar nën dyshimin për vrasje, sipas Irving Barrios Mojica-s, kryeprokuror i shtetit meksikan, Tamaulipas, raporton televizioni BBC.
Muzikantët – të njohur si Grupi Fugitivo – ishin rrëmbyer përderisa po udhëtonin për në një organizim privat më 25 maj, tha kryeprokurori. Pak më vonë, të afërmit e tyre raportuan se kishin pranuar kërkesa për haraç.
Hetuesit po punojnë për ta zbuluar motivin e vrasjes së pesë muzikantëve. Ata ishin të moshës 20 deri 40-vjeçare dhe shpesh merrnin pjesë në ndeja dhe vallëzime lokale.
Përpos arrestimit të nëntë personave, autoritetet gjithashtu kanë sekuestruar nëntë armë zjarri dhe dy automjete.
Grupi Fugitivo perfomonte disa lloje të muzikës rajonale meksikane, një zhanër që e përfshin “corridos”-in, këngë që historikisht janë përdorur për t’u bërë homazh karteleve të drogës dhe udhëheqësve të tyre.
Nuk ishte menjëherë e qartë nëse grupi ishte vënë në shënjestër për shkak të muzikës që e bënte apo ishte zënë në qendër të dhunës që për një kohë të gjatë e ka kapluar shtetin Tamaulipas, ku Karteli i Gjirit ka prani të fuqishme.
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, e ka futur Kartelin e Gjirit në grupin e “organizatave terroriste globale”, bashkë me disa grupe të tjera kriminale.
Në janar, ambasada amerikane në Meksikë kishte lëshuar një udhëzuar për udhëtime të nivelit të katërt – shkalla më e lartë – duke i paralajmëruar shtetasit e ShBA-së që të mos udhëtonin në disa qytete meksikane, përfshirë Reynosa-n./Nacionale