Vriten në pritë 5 punëtorë humanitarë në Gaza, Izraeli e fajëson Hamasin
Izraeli i akuzoi militantët e Hamasit për vrasjen e pesë palestinezëve që punonin për Fondacionin Humanitar të Gazës, që mbështetet nga ShBA-ja, në atë që duket si përpjekje për t’i penguar operacionet e këtij grupi për shpërndarjen e ndihmave.
GHF-ja tha në një deklaratë se njëri nga autobusët e grupit ra në pritë të mërkurën vonë, përderisa po lëvizte drejt një qendre të ndihmave në qytetin Khan Younis, duke bartur burra që punonin krahas një ekipi të ShBA-së për shpërndarjen e ndihmave kritike, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Hamasi vrau pesë punëtorë humanitarë nga Fondacioni Humanitar i Gazës, ndërsa të tjerë u rrëmbyen” – tha agjencia COGAT e Ministrisë së Mbrojtjes të Izraelit, e cila i bashkërendon çështjet humanitare me palestinezët.
“Komuniteti ndërkombëtar nuk mund t’i shpërfillë krimet e Hamasit kundër punëtorëve humanitarë” – tha më tej kjo agjenci.
Hamasi refuzoi që t’i komentonte të shtënat.
Në disa kanale në rrjete sociale në Gaza thuhet se Hamasi e kishte vënë në shënjestër autobusin, sepse gjoja me të po udhëtonin njerëz të lidhur me Yasser Abu Shabab-in, udhëheqës i një klani të madh që e ka sfiduar supremacinë e Hamasit në enklavë dhe po armatoset nga Izraeli.
Në pjesë të tjera të Gazës, autoriteti shëndetësor lokal tha se të paktën 30 palestinezë ishin vrarë nga të shtënat dhe sulmet ajrore izraelite të enjten, përderisa enklava e vogël bregdetare po vazhdon të ballafaqohet me dhunë e shkatërrim.
Ushtria izraelite tha se kishte vrarë tre militantë që hodhën një raketë kundërtanke drejt ushtarëve izraelitë. Ushtria tha, gjithashtu, se kishte arrestuar disa anëtarë të Hamasit në Siri gjatë natës së kaluar, duke i akuzuar për planifikim të sulmeve ndaj civilëve dhe forcave izraelite./Nacionale