Vriten dy izraelitë nga sulmi në një pikëkalim mes Bregut Perëndimor e Jordanisë
Dy izraelitë u vranë të enjten në atë që ushtria izraelite e përshkroi si “sulm terrori” në pikëkalimin “Allenby”, pika e vetme ku palestinezët e Bregut të pushtuar Perëndimor mund të hyjnë në Jordani.
Shërbimi ambulantor izraelit tha se dy burra nuk u mbijetuan plagëve, ndërsa sulmuesi u vra më pas nga forcat e sigurisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ushtria izraelite tha më vonë se kishte vrarë një “terrorist” në vendin e ngjarjes, i cili kishte ardhur me një kamion që po transportonte ndihma humanitare dhe kishte hapur zjarr.
Zëdhënësi i Qeverisë së Jordanisë tha se autoritetet ishin duke e përcjellë incidentin.
Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Më herët këtë muaj, Hamasi e mori përgjegjësinë për një sulm në periferi të Jerusalemit, ku mbetën të vrarë gjashtë njerëz.
Në shtatorin e vitit të kaluar, një person i armatosur nga Jordania vrau tre izraelitë në pikëkalimin “Allenby” para se të vritej nga forcat e sigurisë. Incidenti e kishte shkaktuar mbylljen e pikëkalimit për dy ditë.