Vrasja shokuese që mund ta ndryshojë përgjithmonë Japoninë
Shinzo Abe nuk është më kryeministër i Japonisë, por ai ende është një figurë e madhe në jetën publike japoneze dhe ndoshta politikani më i njohur japonez i tri dekadave të fundit. Kush do të donte që ta vriste Abe-n dhe pse?
BBC
Në Japoni ekzistojnë bandat e dhunshme të krimit të organizuara, Yakuza, por shumica e njerëzve nuk kanë kurrë kontakt me to. Edhe vetë anëtarët e tyre u shmangen armëve për shkak se nuk ia vlen të paguhen dënimet për posedim të paligjshëm të tyre.
Posedimi i armës në Japoni është jashtëzakonisht i vështirë. Për këtë kërkohen e kaluara e pastër, pa krime, trajnimet e detyrueshme, vlerësimi psikologjik dhe kontrollimi i gjerë i prapavijës, përfshirë intervistimin e fqinjëve nga policia.
Si rezultat i këtyre rregullave, krimi me armë pothuajse nuk ekziston në Japoni. Mesatarisht, në Japoni shënohen më pak se dhjetë vdekje të lidhura me armët. Më 2017 u shënuan vetëm tri raste.
Pra, nuk është për t’u habitur se pse kaq shumë vëmendje po u kushtohet sulmuesit dhe armës që ai e përdori në sulm.
Kush është ai? Ku e mori armën? Sipas raportimeve, ai ka qenë anëtar i forcave për vetëmbrojtje, por thuhet se ka qëndruar në ushtri vetëm tre vjet.
Pra, a ishte sulm i qëllimshëm politik apo akt i një fantazisti, i dikujt që deshi të bëhej i famshëm duke qëlluar dikë të famshëm? Deri më tani, nuk e dimë.
Në Japoni kanë ndodhur disa vrasje politike. Vrasja më e famshme ndodhi më 1960, kur kryetari i Partisë Socialiste të Japonisë, Inejiro Asanuma, ishte therur në bark nga një fanatik i së djathtës me shpatë të samurajëve. Ndonëse ekstremistët e së djathtës ekzistojnë ende në Japoni, Abe, që ishte nacionalist i së djathtës, kishte pak gjasa që të ishte në shënjestrën e tyre.
Nuk është e qartë se në cilën kategori të vrasjeve vendoset vrasja e Abe-s, por duket e sigurt se ky rast do ta ndryshojë Japoninë.
Duke e marrë parasysh faktin se sa e sigurt është Japonia, gjendja e sigurisë është shumë e shtendosur. Gjatë fushatave zgjedhore, siç po zhvillohet një tash, politikanët qëndrojnë në këndet e rrugëve duke mbajtur fjalime e duke i shtrënguar duart me shitësit dhe kalimtarët.
Për këtë arsye, sulmuesi i Abe-s arriti që t’i afrohej aq shumë ish-kryeministrit dhe ta shkrepte armën që e kishte ndërtuar vetë.
Kjo, sigurisht, duhet të ndryshojë pas rastit të sotëm./Nacionale