Votoi pro shtetit palestinez, senatorja Payman tërhiqet nga partia e kryeministrit australian - NACIONALE

Votoi pro shtetit palestinez, senatorja Payman tërhiqet nga partia e kryeministrit australian

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Senatorja Fatima Payman ka dhënë dorëheqje nga Partia Laburiste në pushtet e Australisë, disa ditë pasi votoi kundër saj në mbështetje të një mocioni për shtetësinë palestineze.

Laburistët australianë kanë ndëshkime të rrepta për ata që i minojnë pozicionet e partisë dhe zonja Payman tashmë ishte “pezulluar pa afat” nga grupi parlamentar i partisë, pasi ishte zotuar se do ta bënte prapë të njëjtin veprim, raporton televizioni BBC.

“Kjo është një çështje për të cilën nuk mund të bëj kompromis” – tha 29-vjeçarja të enjten. Kryeministri Anthony Albanese tha se senatorja e kishte falënderuar atë për lidershipin dhe i mohoi akuzat se Payaman ishte frikësuar për të dhënë dorëheqje.

Senatorja tani do t’i bashkohet grupit të ligjvënësve të pavarur. Ligjvënësja myslimane, familja e së cilës kishte ikur nga Afganistani pas ardhjes në pushtet të talibanëve më 1996, është politikania federale e parë dhe e vetme me mbulesë në Australi.

“Ndryshe nga kolegët e mi, unë di se si është të jesh në fund të padrejtësisë. Familja ime nuk iku nga një vend i goditur nga lufta për të ardhur këtu si refugjatë që unë të qëndroj e heshtur, kur shoh mizori të shkaktuara ndaj njerëzve të pafajshëm” – tha ajo gjatë një konference për shtyp rreth dorëheqjes nga partia në pushtet.

Konflikti në Gaza është bërë çështje e ndjeshme politike në Australi dhe të gjitha palët janë munduar ta menaxhojnë me kujdes.

Zyrtarisht, Qeveria favorizon një zgjidhje me dy shtete, por nuk mbështeti një mocion, pasi ishte munduar dhe kishte dështuar që të përfshinte një kusht se çfarëdo njohje e shtetit palestinez do të ishte “si pjesë e një procesi të paqes”.

Lajme të ngjashme