Von der Leyen thotë se korridori detar i ndihmave për Gazën mund të nisë nga fundjava
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se një korridor detar për ndihma drejt Gazës mund ta fillojë operimin këtë fundjavë, ndërsa një dërgesë testuese do të niset nga Qiproja të premten.
Njoftimi i zyrtares së lartë evropiane vjen pas njoftimit të Shteteve të Bashkuara se ato do të ndërtojnë një port të përkohshëm në Gaza, raporton televizioni BBC.
Kombet e Bashkuara thonë se çereku i popullsisë së Gazës është buzë vdekjes nga uria dhe se fëmijë po vdesin nga mungesa e ushqimit.
Izraeli mohon se i pengon ndihmat dhe i akuzon organizatat e ndihmave se po dështojnë që t’i shpërndajnë ato.
Duke folur në Qipro, zonja Von der Leyen tha se Gaza është “duke u ballafaquar me një katastrofë humanitare” dhe se korridori detar do ta mundësojë shpërndarjen e sasisë së madhe të ndihmave shtesë.
Europe is financing a major humanitarian aid effort for Palestinians.
— Ursula von der Leyen (@vonderleyen) March 8, 2024
€250 million euros this year alone.
But the key challenge is getting this aid to people in Gaza.
This is why we’re launching the Cyprus Maritime Corridor, with the US and UAE ↓ https://t.co/mrNBl9WsHb
Dërgesa testuese e ndihmave do të bëhet në bashkërendim me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe me Kuzhinën Qendrore Botërore, organizatë ndihmash, bëri të ditur ajo.
Të enjten, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se ushtria amerikane do të ndërtojë një valëpritës për t’i transportuar dërgesat nga anijet në breg, por zyrtarët amerikanë thanë se për këtë ndërtim do të nevojiten “një numër javësh”.
Bideni shtoi se Izraeli “duhet ta bëjë pjesën e vet” duke e lejuar hyrjen e më shumë ndihmave në Gaza dhe “të sigurohet se punëtorët humanitarë të mos ndodhen mes të shtënave”.
“Asistenca humanitare nuk mund të jetë konsideratë e dytë ose pazar” – theksoi kreu i Shtëpisë së Bardhë.