Vërshimet të rënda në Indi, të paktën 34 të vdekur - NACIONALE

Vërshimet të rënda në Indi, të paktën 34 të vdekur

1 vit më parë

nga NACIONALE

Së paku 34 njerëz kanë vdekur në pjesën verilindore të Indisë, pasi vërshimet e rënda shkaktuan rrëshqitje dheu gjatë katër ditëve të fundit, thanë të hënën autoritetet dhe mediat. Departamenti i motit parashikoi reshje të reja të shiut të dendur.

Më shumë se një mijë turistë të ngujuar në shtetin Sikkim në Himalaje po evakuoheshin të hënën, thuhet në një deklaratë të autoriteteve qeveritare, ndërsa ekipet ushtarake të shpëtimit u angazhuan në shtetin Meghalaya për të shpëtuar më shumë se 500 njerëz të ngujuar në zonat e vërshuara, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në Bangladeshin fqinj, të paktën katër anëtarë të një familjeje e humbën jetën nga rrëshqitja e dheut në distriktin Sylhet, në pjesën verilindore të vendit, ndërsa qindra strehimore janë hapur në distriktet kodrinore, Rangamati, Bandarban dhe Khagrachhari.

Autoritetet kanë paralajmëruar për më shumë rrëshitje dheu e vërshime, duke u bërë thirrje banorëve të zonave të ndjeshme që të qëndrojnë vigjilentë.

Pjesa verilindore e Indisë dhe Bangladeshi janë zona të ndjeshme ndaj shiut të dendur që shkakton rrëshiqtje vdekjeprurëse dhe vërshime, duke prekur miliona njerëz çdo vit.

Disa rrugë e shtëpi në qytetin Silchar të Assam-it ishin vërshuar, sipas pamjeve të agjencisë së lajmeve ANI, ndërsa drurët e rrëzuar ishin shpërndarë rrugëve.

“Po ballafaqohemi me shumë sfida. Unë kam një fëmijë, shtrati i tij është zhytur në ujë. Çfarë do të bëjmë në këtë situatë? Qëndrojmë zgjuar tërë natën” – tha një banore e Silchar-it, e quajtur Sonu Devi./Nacionale

Lajme të ngjashme