Vërshime në Indi, zhduken të paktën 23 ushtarë
Së paku 23 ushtarë indianë janë zhdukur në shteti verilindor të Indisë, Sikkim, pasi reshjet e dendura të shiut shkaktuan vërshime masive, thanë zyrtarët.
Rrbeshi ndodhi afër një liqeni në veri të shtetit, duke rezultuar në rritje alarmante të nivelit të ujit në Lumin Teesta, në Luginën Lachen, raporton televizioniBBC.
Situata u përkeqësua edhe më shumë, pasi më shumë ujë u lëshua nga një digë e afërt në lumë. Zyrtarët thanë se disa automjete ushtarake u vërshuan nga uji.
Ministria e Mbrojtjes e Indisë i tha televizionit BBC se është nisur një operacion kërkim-shpëtimi dhe se është duke pritur për më shumë të dhëna.
Përpjekje për shpëtim po zhvillohen edhe në pjesë të tjera të shtetit, sepse lagje të tëra janë vërshuar, duke dëmtuar shtëpi e duke detyruar njerëz që të zhvendosen.
Dy ura, që e lidhin rajonin verior me pjesën tjetër të shtetit, janë rrënuar nga uji, duke i prekur rëndë shërbimet e transportit.
Shteti që shtrihet në Himalaje është i ndjeshëm ndaj vërshimeve dhe fatkeqësive të tjera natyrore. Vitin e kaluar, dhjetëra mijëra njerëz u zhvendosën e të paktën 24 e humbën jetën nga vërshimet masive.