Venezuela thotë se presidentja e përkohshme nuk po planifikon udhëtime jashtë vendit - NACIONALE

Venezuela thotë se presidentja e përkohshme nuk po planifikon udhëtime jashtë vendit

2 javë më parë

nga NACIONALE

Qeveria venezuelase tha të premten se presidentja e përkohshme, Delcy Rodriguez, nuk do të realizojë ndonjë udhëtim jashtë vendit në të ardhmen e afërt, pasi presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, la të kuptohej se mund të realizohej një takim në vendin e tij.

Administrata e zonjës Rodriguez është “e përqendruar si qeveri në agjendën vendëse” – tha në rrjetin “Telegram” ministri i Komunikimit, Freddy Nanez, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Presidenti kolumbian i kishte thënë gazetës “El Pais” në një intervistë të publikuar të premten se homologia e tij venezuelase pritej që ta vizitonte kryeqytetin e vendit të tij, Bogota, në javët në vijim.

“Ajo ka kërkuar dy javë. I nevojitet që të shohë se çfarë është duke ndodhur në vendin e saj” – citohet të ketë thënë Petro.

Zonja Rodriguez u zgjodh presidente e përkohshme e Venezuelës, pasi presidenti tashmë i rrëzuar, Nicolas Maduro, u kap para disa ditësh nga forcat speciale amerikane Delta përmes një operacioni të befasishëm.

Maduroja tashmë është dërguar në Shtetet e Bashkuara, ku është ngarkuar me akuzat për narko-terrorizëm.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka paralajmëruar Rodriguezin se mund ta presë “fat edhe më i keq” se i Maduros, nëse ajo “nuk e bën gjënë e duhur” – duke e nënkuptuar, me gjasë, dëgjimin e udhëzimeve nga Uashingtoni./Nacionale

Lajme të ngjashme