“Vendoseni Trumpin në vijën e frontit”, thotë nëna e ushtarit të vrarë në Afganistan - NACIONALE

“Vendoseni Trumpin në vijën e frontit”, thotë nëna e ushtarit të vrarë në Afganistan

2 javë më parë

nga NACIONALE

“Mendoj se ata duhet ta veshin Donald Trumpin në një uniform dhe ta vendosin në vijën e frontit, në vend se të shtyjë një laps prapa një tavoline, ai duhet të shkojë atje e ta bëjë këtë vetë.”

Monica Kershaw po mundohej t’i mbante lotët, përderisa po fliste në telefon me korrespondentin e BBC-së për lajme ndërkombëtare, Joe Inwood.

Janë bërë gati 14 vjet kur biri i saj, Christopher, u vra në provincën Helmand të Afganistanit. Vrasja e tij ndodhi vetëm tri javë pas dislokimit të parë aktiv të ushtarit të ri. Ishte vetëm 19 vjeç.

Christopher Kershaw ishte njëri nga gjashtë ushtarët britanikë që vdiqën, kur automjeti i blinduar me të cilin po udhëtonin shkeli mbi një pajisje të improvizuar shpërthyese në Helmand.

Nënës së tij i dridhet zëri, përderisa e kujton atë ditë. “Ai nuk duhej të ishte duke e vozitur automjetin” – tha Monica për të birin, duke shtuar se ai ishte paraqitur vullnetar, pasi një ushtar tjetër ishte duke bërë dush.

“Hamendem se çfarë do të ishte duke bërë ai tani” – tha britanikja e pikëlluar.

“Sa fëmijë do të kishte? Çfarë profesioni do të ishte duke ushtruar? Më mungon vazhdimisht. Shkoj për të fjetur natën dhe e tëra që mund të shoh është fytyra e tij, kur i mbyll sytë” – shtoi ajo.

Presidenti amerikan nxiti reagime të shumta, pasi pretendoi se trupat e vendeve aleate të NATO-s nuk kanë luftuar njësoj si ushtarët amerikanë në Afganistan.

“Kurrë nuk kemi pasur nevojë për ta [ushtarët e vendeve aleate]. Ne kurrë nuk kemi kërkuar vërtet diçka nga ta. E dini, do të thonë se dërguan disa trupa në Afganistan, ose këtë apo atë. Dhe e bënë – qëndruan pak prapa, pak jashtë vijave të frontit” – tha më herët Trumpi./Nacionale

Lajme të ngjashme