Vdiq në një aksident me paraglajd në Itali sportisti ekstrem, Felix Baumgartner - NACIONALE

Vdiq në një aksident me paraglajd në Itali sportisti ekstrem, Felix Baumgartner

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sportisti ekstrem austriak, Felix Baumgartner, i cili ishte bërë i famshëm për kërcimin rekord nga skaji i hapësirës në vitin 2012, vdiq të enjten në një aksident paraglajdingu në pjesën qendrore të Italisë, tha policia lokale. Ai ishte 56 vjeç.

Baumgartnerit i humbi kontrolli mbi paraglajdin e tij të motorizuar gjatë fluturimit mbi Porto Sant’Elpidio të rajonit qendror italia, Marche, dhe ra në tokë afër pishinës së një hoteli. Arsyet e aksidentit ishin të paqarta, raporton “USA Today”.

Kryetari i qytezës Porto Sant’Elpidio, Massimiliano Ciarpella, tha se raportet sugjerojnë se sportisti mund të ketë pësuar një problem të papritur mjekësor gjatë kohës kur ishte në ajër dhe i shprehu ngushëllimet e vendbanimit që e drejton për vdekjen e “një simboli të guximit dhe pasionit për fluturimet ekstreme”.

Austriaku i zuri ballinat e mediave në mbarë botën në tetorin e vitit 2012, kur, i veshur në një kostum të përgatitur në mënyrë të posaçme, kishte kërcuar nga një lartësi prej 38 kilometrash mbi sipërfaqen e Tokës, duke u bërë njeriu i parë që e kishte thyer barrierën e shpejtësisë së zërit – më shumë se 1.100 kilometra në orë.

Ai e kishte bërë kërcimin historik mbi qytetin amerikan, Roswell, duke arritur shpejtësi maksimale prej 1.343 kilometrash në orë, në 65-vjetorin e kërcimit të pilotit legjendar amerikan, Chuck Yeager, kur e kishte thyer barrierën e shpejtësisë së zërit më 14 tetor të vitit 1947.

Në Austri, sportisti ekstrem ishte i njohur edhe për nxitjen e kundërthënieve për shkak të pikëpamjeve të tij, përfshirë mbështetjen e diktaturës si formë e qeverisjes.

Lajme të ngjashme