Vdiq foshnja e katërt nga hipotermia në Gaza
Foshnja e katërt ka vdekur nga hipotermia (temperatura e ulët trupore) në Rripin e Gazës, ku qindra mijëra palestinezë të zhvendosur nga gati 15 muaj luftë janë grumbulluar nën tenda buzë dimrit.
Jomaa al-Batran, 20-ditësh, u gjet me kokën “të ftohtë si akull” të dielën herët, tha babai i foshnjës, Yehia. Vëllai binjak i vogëlushit, Aliu, u dërgua në repartin e kujdesit intensiv në spitalin “Martirët e Al-Aksës”, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Babai i binjakëve tha se ata ishin lindur një muaj para kohës dhe kishin kaluar vetëm një ditë në maternitetin e spitalit, i cili, njësoj si qendrat e tjera shëndetësore të Gazës, është i stërngarkuar dhe vetëm pjesërisht në funksion.
Ai tha se mjekët i kishin thënë nënës së fëmijëve që t’i mbante ngrohtë dy djemtë, por kjo ishte e pamundur, pasi ata jetojnë në një tendë dhe temperaturat rregullisht bien nën 10 gradë natën.
“Ne jemi tetë persona dhe kemi vetëm katër batanije” – tha babai i tyre, përderisa e mbante në krah trupin e zbehtë të foshnjës. “Shikojani ngjyrën për shkak të të ftohtit. A po e shihni sa i ngrirë është” – tha babai i pikëlluar.
Të paktën tri foshnja të tjera kanë vdekur nga të ftohtët në javët e fundit, sipas zyrtarëve shëndetësorë lokalë.
Në një zhvillim tjetër, një grua palestineze u qëllua për vdekje në shtëpinë e saj në qytezën e Bregut Perëndimor, Jenin, ku Autoriteti Palestinez këtë muaj nisi një fushatë të rrallë kundër militantëve./Nacionale