Vdes një protestues hebraik pas protestës pro-palestineze në ShBA
Një burrë hebre nuk u mbijetoi plagëve të hënën, një ditë pas përleshjes në një protestë pro-palestineze në zonën e Los Angelesit të ShBA-së.
Burri 69-vjeçar i identifikuar si Paul Kessler ishte rrëzuar dhe e kishte goditur kokën pas një ballafaqimi gjatë protestave pro-palestineze e pro-izraelite në periferi të Los Angelesit, thanë autoritetet.
Vdekja e këtij personi po hetohet si vrasje dhe autoritetet nuk e kanë përjashtuar mundësinë e krimit të urrejtjes, thuhet në një deklaratë të policisë lokale. Nuk është njoftuar për ndonjë të arrestuar, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Kessleri ishte lënduar pak para orës 15 e 30 minuta të dielën gjatë protestave me qëndrime të kundërta në Thousand Oaks, qytet me rreth 125 mijë banorë në veriperëndim të Los Angelesit. Policia kishte pranuar raportime se kishte ndodhur një sulm fizik dhe policët ishin dërguar në vendin e ngjarjes, ku e kishin gjetur personin me një plagë në kokë, tha policia.
“Rrëfimet e dëshmitarëve treguan se Kessleri ishte përfshirë në një zënkë fizike me një kundër-protestues. Gjatë zënkës, Kessleri ra nga prapa dhe e goditi kokën në tokë”- tha policia.
Sipas një deklarate të Federatës Hebraike të Los Angelesit të Madh, burri ishte goditur në kokë me një megafon që po mbahej nga një protestues pro-palestinez.
Megjithatë, rabini local, Michael Barclay, tha në rrjete sociale se kishte biseduar me komandantin e policisë lokale dhe tha se rrethanat e vdekjes së të moshuarit ishin ende të paqarta.
Ai më vonë tha se policia kishte raporte kundërthënëse për atë që kishte ndodhur dhe se kishte intervistuar një të dyshuar që ishte identifikuar në rrjete sociale si person i pranishëm në ngjarje.
