Vdes në moshën 25-vjeçare aktori amerikan i serisë “Euphoria”, Angus Cloud
Ka vdekur në moshën 25-vjeçare aktori amerikan, Angus Cloud. Ai kishte luajtur në serinë e popullarizuar të HBO-së, “Euphoria”.
Cloud, i cili e kishte luajtur rolin e “Fez”-it, që ishte tregtar droge, në dramën e adoleshentëve, vdiq të hënën në shtëpinë e familjes së tij në Oakland të Kalifornisë, tha një publicist.
“Me zemër të rënduar u desh t’i themi lamtumirë një njeriu të jashtëzakonshëm sot”- thuhet në një deklaratë të familjes, raporton televizioni BBC.
Cloud e varrosi babanë e vet javën e kaluar, sipas familjes, dhe “ishte në betejë me shëndetin mendor”.
“Ngushëllimi i vetëm që e kemi është që e dimë se Angusi tash është ribashkuar me babanë e tij, që ishte shoku i tij më i mirë”- thuhet më tutje në deklaratën e familjes.
“Shpresojmë që vdekja e tij të jetë përkujtim për të tjerët se nuk janë vetëm dhe se nuk duhet ta luftojnë këtë në heshtjen e tyre”- tha familja e aktorit.
Nuk është bërë i ditur shkaktari i vdekjes së të riut.
Një burim i afërt me familjen e aktorit tha se ai “ishte duke u ballafaquar me mendime të rënda vetëvrasëse”, pasi ishte kthyer nga Irlanda, ku e kishte varrosur babanë.
Përpos serisë “Euphoria”, Cloud ka luajtur edhe në filmat “North Hollywood” dhe “The Line”. Ai është paraqitur edhe në video-klipe muzikore për disa artistë, përfshirë Becky G, Karol G dhe Juice WRLD.