Vdes foshnja e sëmurë rëndë që ishte në qendër të betejës ligjore mes Britanisë, prindërve e Italisë - NACIONALE

Vdes foshnja e sëmurë rëndë që ishte në qendër të betejës ligjore mes Britanisë, prindërve e Italisë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një foshnjë e sëmurë rëndë, që ishte në qendër të një beteje ligjore mes prindërve të saj, zyrtarëve shëndetësorë britanikë dhe Qeverisë së Italisë, ka vdekur, tha të hënën një grup që e përkrahte familjen e saj.

Grupi “Christian Concern” tha se foshnja e quajtur Indi Gregory vdiq në një spital të hënën në mëngjes, pasi pajisjet mjekësore për mbështetje të jetës i ishin tërhequr të dielën, raporton agjencia “Associated Press”.

Foshnja 8-muajshe kishte pësuar dëmtim të trurit si rezultat i një gjendje të rrallë, që njihet si sëmundja mitokondriale.

Mjekët kishin thënë se pajisjet mbështetëse duhej t’i hiqeshin foshnjës për ta lënë që të vdiste në spital. Megjithatë, prindërit e saj, Dean Gregory dhe Claire Staniforth, kishin luftuar që t’ia vazhdonin trajtimin fëmijës së tyre me shpresë se trajtimet eksperimentale do të mund t’ia zgjasnin jetën.

Në këtë betejë ishte përfshirë edhe Qeveria e Italisë, duke kërkuar leje që vajza e vogël të trajtohej në Spitalin e Fëmijëve “Bambino Gesu” në Romë dhe madje ia kishte dhënë asaj shtetësinë italiane.

Mjekët kishin argumentuar se Indi nuk kishte vetëdije për mjedisin përreth saj dhe se ishte duke vuajtur e duhej të lejohej që të vdiste në paqe. Përpjekjet e vazhdueshme ligjore, të mbështetura nga organizata “Christian Concern”, ishin refuzuar nga gjykatësit britanikë.

Në një deklaratë të publikuar të hënën herët, babai i foshnjës i kritikoi ashpër gjykatat britanike për refuzimin e kërkesës që fëmija të vdiste në shtëpi.

“Claire dhe unë jemi të zemëruar, zemërthyer e të turpëruar. Ata ia dolën që t’ia merrnin Indit trupin dhe dinjitetin, por kurrë nuk mund t’ia marrin shpirtin”- tha babai i vajzës.

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, shprehu keqardhje për rastin. “Ne bëmë gjithçka që mundëm, gjithçka të mundshe. Fatkeqësisht, nuk mjaftoi”- shkroi ajo në rrjetin X.

Lajme të ngjashme