Vdekja nga uria është afër në veri të Gazës, sipas një raporti të ri - NACIONALE

Vdekja nga uria është afër në veri të Gazës, sipas një raporti të ri

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Vdekja nga uria është afër në Gazën veriore, ku 70 për qind e njerëzve po përjetojnë uri katastrofale, sipas një raporti të publikuar të hënën, në të cilin paralajmërohet se eskalimi i luftës do të mund ta çonte gjysmën e popullsisë së përgjithshme të Gazës buzë vdekjes nga uria.

Raporti i publikuar nga autoriteti i komunitetit ndërkombëtar për përcaktimin e nivelit të ashpërsisë së krizave të urisë erdhi në kohën kur Izraeli po ballafaqohet me presion në rritje edhe nga aleatët më të ngushtë për të hapur më shumë pikëkalime për futjen e ndihmave në Rripin e Gazës. Grupet e ndihmave ankohen se dërgesat përmes ajrit dhe detit nga Shtetet e Bashkuara e nga shtete të tjera janë shumë të ngadalshme e shumë të vogla, raporton agjencia “Associated Press”.

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se uria e afërt është “tërësisht e bërë nga njeriu” dhe se “vdekja nga uria po përdoret si armë e luftës”.

Forcat izraelite, ndërkohë, nisën një sulm tjetër ajror ndaj spitalit më të madh të Rripit të Gazës të hënën herët, duke thënë se militantët e Hamasit ishin rigrupuar atje dhe shtien ndaj tyre nga brenda kompleksit të spitalit “Shifa”.

Përleshjet vazhduan tërë ditën në dhe përreth spitalit, ku zyrtarët palestinezë thonë se dhjetëra mijëra njerëz kanë qenë duke u strehuar.

Vlerësimet më të reja rreth urisë në Gaza erdhën nga IPC- ja (Klasifikimi i Integruar i Fazave të Sigurisë Ushqimore), nismë që ishte themeluar së pari më 2004 gjatë krizës ushqimore në Somali dhe që tani përfshin mbi dhjetë agjenci të OKB-së, grupe ndihmash, qeveri e organe të tjera që e përcaktojnë ashpërsinë e pasigurisë ushqimore.

Në raportin e ri thuhet se pothuajse secili banor i Gazës është duke u ballafaquar me vështirësi për të siguruar ushqim të mjaftueshëm dhe se rreth 677 mijë njerëz – gati një e treta e popullsisë prej 2,3 milionë banorësh – janë duke e përjetuar nivelin më të lartë të urisë katastrofale. Kjo do të thotë se ata ballafaqohen me mungesë ekstreme të ushqimit dhe me nivele kritike të kequshqyerjes akute. Në shifër përfshihen rreth 210 mijë njerëz në veri të enklavës.

Gjendja e plotë e sëmundjeve dhe vdekjeve nga uria parashikohet që të ndodhë në çfarëdo kohe mes së tashmes dhe muajit maj, theksohet në raport. Kjo gjendje shpallet kur 20 për qind e amvisërive kanë mungesë ekstreme të ushqimit, 30 për qind e fëmijëve vuajnë nga kequshqyerja akute dhe kur të paktën dy të rritur ose katër fëmijë vdesin për çdo 10 mijë njerëz në ditë.

Në raport thuhet se kushti i parë është plotësuar dhe “ka shumë gjasë” se është plotësuar edhe kushti i dytë. Shkalla e vdekjeve pritet që të përshpejtohet dhe t’i arrijë së shpejti nivelet e gjendjes së urisë së përgjithshme, thuhet më tej.

Lajme të ngjashme