Vdekja e opozitarit Navalny në burg nxit reagime të shumta, fajësohet regjimi i Putinit
Udhëheqësi opozitar rus, Alexei Navalny, ka vdekur në burg, ka thënë shërbimi kombëtar i burgjeve në Rusi. Kjo vdekje pritet të shihet si vrasje politike që do t’i atribuohet presidentit rus, Vladimir Putin. Kanë filluar reagimet e para.
Shërbimi i burgjeve në distriktin Yamalo-Nenets tha se ai “nuk ishte ndier mirë” pas një ecjeje të premten. Në një deklaratë, ky shërbim tha se Navalny “pothuajse menjëherë e kishte humbur vetëdijen”, duke shtuar se një ekip i urgjencës mjekësore ishte thirrur menjëherë dhe ishte munduar që ta shpëtonte, por pa sukses.
Agjencia ruse e lajmeve, TASS, raportoi se shkaktari i vdekjes së Navalnyt është duke u hetuar.
Reagimet
Laureati i Çmimit Nobel për Paqe, Dmitry Muratov, tha të premten se vdekja e Navalnyt është vrasje dhe se ai beson që kushtet në burgun ku po mbahej opozitare kanë çuar në shuarjen e tij, raporton gazeta "The Guardian".
Leonid Volkov, shef i stafit të Navalnyt, tha se deklarata e shërbimit të burgjeve mund të interpretohet si “rrëfim” se ata qëllimisht e vranë Navalnyn, edhe pse ekipi i tij ende nuk e ka vërtetuar informatën.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se është “e qartë” se presidenti rus, Vladimir Putin, qëndron prapa vdekjes së Navalnyt.
Duke folur në gjuhën gjermane, Zelensky tha se presidenti rus nuk mërzitet se kush vdes, derisa pozita e tij në krye të shtetit është e sigurt.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se ato që i quajti akuza perëndimore për vdekjen e opozitarit të burgosur Navalny janë “vetë-zbuluese”.
Në një deklaratë, Zakharova tha se rezultatet e forenzikës për vdekjen e Navalnyt nuk ishin ende gati, por se Perëndimi tashmë kishte arritur në konkluzionet e veta.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, e ka mbajtur Rusinë përgjegjëve për vdekjen e Navalnyt.
“Alexei Navalny luftoi për vlerat e lirisë dhe demokracisë. Për idealet e tij, ai e bëri sakrificën përfundimtare. BE-ja e mban regjimin rus ekskluzivisht përgjegjës për këtë vdekje tragjike” – shkroi ai në rrjetin X.
Alexei @navalny fought for the values of freedom and democracy. For his ideals, he made the ultimate sacrifice.
— Charles Michel (@CharlesMichel) February 16, 2024
The EU holds the Russian regime for sole responsible for this tragic death.
I extend my deepest condolences to his family. And to those who fight for democracy around…
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të premten se ai është “thellësisht i pikëlluar dhe i shqetësuar” nga raportimet për vdekjen e opozitarit rus.
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, tha se ky është një “lajm i tmerrshëm” dhe se Navalny “kishte shfaqur guxim të jashtëzakonshëm”.
Kryeministrja e Letonisë, Evika Silina, e akuzoi regjimin e Putinit për torturim deri në vdekje të “njërit prej simboleve të fundit të demokracisë në Rusi”.
Ministri i Jashtëm i Suedisë, Tobias Billstrom, tha se nëse lajmi është i vërtetë, ky është një “krim i tmerrshëm” tjetër i regjimit të Putinit.