Vazhdon rezistenca në Mariupol, ushtarët ukrainas refuzojnë të dorëzohen - NACIONALE

Vazhdon rezistenca në Mariupol, ushtarët ukrainas refuzojnë të dorëzohen

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Qyteti i goditur i Mariupolit pas shtatë javësh nën rrethim, dukej sikur ishte gati për të rënë në duar e forcave ruse ditën e dielë. Një zhvillim i tillë do t’i jepte Moskës një sukses vendimtar në Ukrainë, pas dështimit për marrjen nën kontrollë të kryeqytetit dhe pas humbjes së anijes luftarake në Detin e Zi.

Ushtria ruse tha se rreth 2,500 luftëtarë ukrainas që qëndrojnë në një fabrikë të madhe çeliku janë atë fundit që janë duke rezistuar. Rusia dha një afat për dorëzimin e tyre duke ju garantuar jetën në qoftë se do të linin armët, por ukrainasit nuk u nënshtruan.

"Të gjithë ata që do të vazhdojnë rezistencën do të shkatërrohen," tha gjeneralmajor Igor Konashenkov, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes ruse. Ai tha se komunikimet e përgjuara treguan se së bashku me trupat ukrainase kishte edhe rreth 400 mercenarë të huaj në fabrikën e çelikut Azovstal.

Marrja e Mariupolit do të ndihmonte forcat ruse për të dobësuar dhe rrethuar forcat e ushtarëve ukrainas në Ukrainën lindore, ku tani për tani Rusia ka fokusuar synimet e saj të luftës.

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Malyar, e përshkroi Mariupolin si një "mburojë që mbron Ukrainën", ndërsa trupat ruse përgatiten për një ofensivë të plotë në Donbas, në qendrën industriale lindore të vendit, ku separatistët e mbështetur nga Moska tashmë kontrollojnë disa territore.

Në mënyrë që të rikujtojnë se asnjë pjesë e Ukrainës nuk është e imunizuar deri në përfundim të luftës, forcat ruse kryen sulme të reja raketore në Kiev dhe qytete tjera, në përpjekje për të dobësuar kapacitetin ushtarak të Ukrainës, para sulmit të parashikuar në lindje.

Këtë të dielë, ushtria ruse gjithashtu pretendoi se ka shkatërruar radarët e mbrojtjes ajrore ukrainase në lindje, afër Sievierodonetsk, si dhe disa depo municionesh në vende të tjera. Shpërthime u raportuan gjatë natës edhe në qytetin e Kramatorsk.

Rrethimi i vazhdueshëm dhe bombardimi i pamëshirshëm i Mariupolit deri tani ka sjellë një kosto të tmerrshme, me zyrtarët që vlerësojnë se rusët kanë vrarë të paktën 21,000 njerëz. Në këtë qytet ku para fillimit të luftës jetonin rreth 450,000 banorë, vlerësohet se tani janë vetëm 120,000.

Marrja e qytetit me një sipërfaqe sa gjysma e madhësisë së Hong Kongut do të shënonte suksesin e parë të dukshëm të Rusisë pas dy muajsh luftime dhe do të ndihmonte të qetësohej publiku rus mes përkeqësimit të situatës ekonomike nga sanksionet perëndimore.

Kjo do t'i lejonte Rusisë të siguronte një korridor tokësor për në Gadishullin e Krimesë, të cilin e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014, dhe do t'i privonte Ukrainës një port të madh dhe asete industriale të çmuara.

Marrja e Mariupolit gjithashtu do të vinte në dispozicion më shumë trupa për një ofensivë të re në lindje, e cila nëse do të ishte e suksesshme, do t'i jepte Presidentit rus Vladimir Putin një pozicion më të fuqishëm nga ku do të mund të bënte presion ndaj Ukrainës për kushtet e saj.

Lajme të ngjashme