Vazhdojnë sulmet ruse në Ukrainë, raportohet për gjashtë të vdekur
Gjashtë civilë janë konfirmuar të vdekur e dhjetë të tjerë kanë pësuar lëndime pas sulmeve ruse të mërkurën ndaj qytezës ukrainase të vijës së frontit, Kostyantynivka, thonë autoritetet ukrainase.
Udhëheqësi i administratës rajonale të Donetskut, Vadym Filashkin, thotë gjithashtu se edhe në pjesë të tjera të këtij rajoni një civil u vra dhe një tjetër u lëndua në Pokrovsk, raporton televizioni BBC.
Sipas policisë ukrainase, 42 shtëpi banimi janë shkatërruar në rajonin e Donetskut gjatë sulmeve ruse në 24 orët e fundit.
Ushtria ukrainase tha se rrëzoi 90 nga 166 dronët e hedhur nga Rusia gjatë natës së kaluar, në shënjestër të të cilëve ishin rajone të ndryshme.
72 dronë të tjerë “humbën” pa shkaktuar ndonjë dëm, tha forca ajrore ukrainase në një shkrim në rrjetin “Telegram”.
Sipas ushtrisë, nga sulmet u prekën qytetet Kiev, Chernihiv dhe Sumy.