Vazhdojnë luftimet në ditën e dytë, Tajlanda e Kamboxhia shkëmbejnë zjarr të artilerisë së rëndë - NACIONALE

Vazhdojnë luftimet në ditën e dytë, Tajlanda e Kamboxhia shkëmbejnë zjarr të artilerisë së rëndë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Tajlanda dhe Kamboxhia shkëmbyen zjarr të artilerisë së rëndë të premten, përderisa luftimet më të rënda mes tyre në më shumë se një dekadë hynë në ditën e dytë, pavarësisht nga thirrjet nga rajoni e përtej tij për armëpushim të menjëhershëm në konfliktin kufitar që po eskalon dhe nga i cili kanë mbetur të vrarë të paktën 16 njerëz.

Ushtria tajlandeze raportoi për përleshje që nga koha para agimit në provincat Ubon Ratchathani dhe Surin dhe tha se Kamboxhia kishte përdorur artileri dhe sisteme raketore të prodhimit rus, BM-21. Autoritetet thanë se 100 mijë njerëz ishin evakuuar nga zonat e konfliktit në anën tajlandeze të kufirit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Forcat kamboxhiane kanë kryer bombardim të vazhdueshëm duke përdorur armë të rënda, artileri fushore dhe sisteme raketore BM-21” – tha ushtria tajlandeze në një deklaratë.

“Forcat tajlandeze janë kundërpërgjigjur me zjarr të duhur mbështetës në përputhje me situatën taktike” – thuhet më tej.

Të dyja palët e fajësuan njëra-tjetrën për fillimin e konfliktit të enjten në një zonë të kontestuar kufitare. Përplasja u përshkallëzua shpejt nga zjarri me armë të vogla te sulmet me predha të rënda në të paktën gjashtë lokacione me largësi prej 209 kilometrash mes vete përgjatë një kufiri ku sovraniteti është kontestuar për më shumë se një shekull.

Gazetarët e agjencisë “Reuters” në provincën Surin raportuan se kishin dëgjuar shpërthime të kohëpaskohshme të premten, në praninë e dendur të ushtarëve tajlandezë përgjatë rrugëve dhe pompave të karburantit në zonën kryesisht bujqësore.

Luftimet shpërthyen të enjten, vetëm disa orë pasi Tajlanda e tërhoqi ambasadorin e saj nga Kamboxhia natën paraprake dhe e dëboi ambasadorin kamboxhian nga Bangkoku, si kundërpërgjigje ndaj një incidenti ku një ushtar i dytë tajlandez humbi një gjymtyrë nga një minë për të cilën Tajlanda pretendoi se ishte vendosur rishtazi nga trupat e vendit fqinj. Kamboxhia e ka cilësuar akuzën si të pabazë.

Numri i të vdekurve në Tajlandë shkoi në 15 të premten herët, 14 prej tyre civilë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, e cila njoftoi gjithashtu për 46 të plagosur, përfshirë 15 ushtarë.

Qeveria e Kamboxhias nuk ka ofruar hollësi për viktima apo evakuim të civilëve. Një zëdhënës qeveritar nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment rreth përleshjeve më të reja./Nacionale

Lajme të ngjashme